“Si trajner mund të qaj, të ankohem për mungesat ose të gjej zgjidhje"

“Si trajner mund të qaj, të ankohem për mungesat ose të gjej zgjidhje”

Trajneri i ekipit kombëtar të Kosovës, Bernard Challandes në  një konferencë për media sot tregoi se pse Lirim Kastrati s’është pjesë e ekipit A për ndeshjet kualifikuese për Euro 2020 ndaj Çekisë dhe Anglisë.

Ai tha se e ka ftuar Kastratin, por ai i ka kërkuar garanci se do të luajë në këto ndeshje. Challandes theksoi se një gjë të tillë nuk do ta bëjë për asnjë lojtar të kombëtares, dhe si pasojë Kastrati do të paraqitet për ekipin U-21.

Dhjetë ditë më parë, kam bërë listën me Lirim Kastratin në të. Por në atë kohë, situata e Rashicës dhe Kolollit s’ishte e qartë. I thash Lirimit, hajde të hënën (nesër), ushtro deri të premten, dhe të premten do të vendos nëse do të qëndrosh me ekipin A ose jo. Nëse s’ka vend luan për ekipin U-21. Ishte e qartë. Vjen ushtron dhe më pas vendosim. Ishte e qartë për mua dhe zgjidhje e mirë për të. Por në këtë javë, mora thirrje nga agjenti dhe më tha se nuk jemi të lumtur me këtë zgjidhje. ‘Ose garantoi Lirimit lojë për ekipin A ose ai nuk vjen’. Kurrë. Kurrë s’do të jap asnjë garanci për asnjë lojtar të kombëtares sonë. Kushdoqoftë. Është vendimi im. Kemi një ekip. Nëse një lojtar merr ftesë, duhet të pranojë. E përsëris: Nëse pranoni ftesën, ju e pranoni rolin që keni në ekip. Në fund, Lirim Kastrati ka marrë vendim. Do të luajë për U-21. Shpresoj të bëjë lojë të mirë. S’jam i sigurt se është zgjidhje e mirë, por s’ka polemika me mua. Është zgjedhje e tij. Të gjithë marrin përgjegjësinë për vete. S’flas për të ardhmen”, deklaroi Challandes.

Sipas Bernard Challandes, Kosova do të mund t’i mbulojë mungesat e mëdha që ka për ndeshjet me Çekinë dhe Anglinë, vetëm nëse bën lojë ekipore.

Në këtë konferencë Challandes, deklaroi se asnjë ekip s’është i njëjtë kur ka mungesa të mëdha.

Nuk jam budalla. E di sa vështirë është me këto mungesa. Edhe Franca po të luante pa Mbappen, Griezmannin, Pogban, Kanten e Hernandez as ajo s’do të ishte e njëjtë. I njëjti parim vlen edhe për Kosovën. Na mungojnë pesë lojtarë të përbërjes së parë”, tha ai.

Kosova më 7 shtator ndaj Çekisë dhe tre ditë më pas ndaj Anglisë do të luajë pa Milot Rashicën, Arbër Zenelin, Hekuran Kryeziu, Herolind Shala e Benjamin Kololli.

“Si trajner mund të qaj, të ankohem për mungesat ose të gjej zgjidhje. Sigurisht, kam zgjedhur të gjej zgjidhje. Duhet t’i jap besimin lojtarëve që të punojnë shumë. Mendoj se nuk mund të gjej zgjidhje, duke zëvendësuar lojtarë kokë më kokë. Kemi vetëm një zgjidhje. Është reagim kolektiv. Punë e përbashkët. Duhet të jemi kompaktë, jo vetëm në fushë, por me mentalitetin tonë. Të jemi luftarakë. Shumë të fortë në kokë. Është puna ime të provokoj në një masë lojtarët që do të paraqiten ndaj një prej skuadrave më të forta në botë si Anglia dhe ndaj kombëtares jashtëzakonisht të fortë si Republika Çeke”, theksoi ai.

Sipas tij, Kosovën e presin përballje shumë të vështira, e sidomos ajo me Çekia.

Çekia ka pasur paraqitje shumë të mira. Mund të mbrohet shumë mirë. Bën presion shumë. Shumë skuadër e fortë edhe fizikisht. Mund të jetë problem për ne sepse kanë katër-pesë lojtarë shumë të gjatë, e ne s’jemi aq shumë. S’është e lehtë”, deklaroi Challandes.

Ekipi i Kosovës është pjesë e Grupit A kualifikues. “Dardanët” janë në vendin e tretë me pesë pikë pas tri ndeshjeve.

Në stadiumin “Fadil Vokrri” Kosova do perballet me Çekinë që ka gjashtë pikë, ndërsa ndaj Anglisë luajnë si mysafirë. Anglia i prin grupit me gjashtë pikë po ashtu. /21Media