Rukiqi tha se qëllimi kryesor është nxitja e bashkëpunimit ekonomik në mes vendeve

Rukiqi tha se qëllimi kryesor është nxitja e bashkëpunimit ekonomik në mes vendeve

Kryetarët e Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor, anëtarë të Bordit Menaxhues të Forumit të këtyre odave të përbashkëta i njohur me shkurtesën CIF, sot zhvilluan një takim të përbashkët në Odën Ekonomike të Kosovës në Prishtinë ku janë diskutuar për aktivitetet e radhës, në veçanti për ngjarjen e ardhshme në Londër në aktivitetin e “Financial Times” ku do t’i bëhet një prezantim të gjithë rajonit.

Në takimin e sotëm të Odave të Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë Veriore, Bosnje Hercegovinës dhe Malit të Zi, morën pjesë vetëm 5 nga 6 kryetarët, pasi ai i Bosnjës nuk kishte ardhur në Prishtinë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se qëllimi kryesor është nxitja e bashkëpunimit ekonomik në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai theksoi se rajoni ynë ka nevojë për investime dhe një treg i përbashkët mund të jetë shumë atraktiv dhe me potencial për të tërhequr kompani të mëdha botërore për të investuar.

“Një ndër qëllimet kryesore të vet organizatës është që të lehtësojmë rrugën e vendeve tona drejt Bashkimit Evropian duke nxitur bashkëpunimin ekonomik dhe duke treguar që pavarësisht çdo problemi politik ne mund të ecim me iniciativat tona, për shkak se biznesi ka nevojë për lehtësim të rrugëve për tregti dhe investime. Ky rajon ka nevojë për investime dhe asnjë vend veç e veç nuk ka treguar që mund të jetë shumë atraktiv nëse nuk e shohim brenda një konteksti të një tregu më të madh, të një tregu që ka potencial për më tërheq kompani edhe më të mëdha botërore”, deklaroi Rukiqi.

Kryetarja e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Mucostepa, tha se integrimi ekonomik është hallka më e fortë që do të çojë vendet e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Ajo deklaroi se vendet duhet të bashkëpunojnë më shumë dhe t’i largohen ngjyrave partiake, pasi ajo tha se sipërmarrja flet vetëm me ngjyrën e zhvillimit ekonomik.

“CIF vazhdon të jetë institucion i krijuar gjatë procesit të Berlinit i cili tashmë vazhdon të punojë me ide të qarta, pikërisht në kuadrin e integrimit ekonomik, ne mendojmë që integrimi ekonomik është hallka më e fortë që do të na çojë drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe pikërisht për këtë bashkëpunimi ynë është shumë i frytshëm duke u munduar në të gjitha takimet tona të japim rezultate konkrete mbi afrimin e sipërmarrjeve të vendeve tona dhe zhvillimin ekonomik të vendeve tona. […] Duhet të dimë që sipërmarrja flet vetëm me një ngjyrë, atë të zhvillimit ekonomik”, tha ajo.

Kryetari i Bordit Menaxhues të CIF-it, njëherësh kryetar i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Cadez, tha se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të krijojnë barriera për njëra-tjetrën.

Ai tha se këto vende nuk kanë më kohë për të humbur dhe se duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që secili shtet të përfitojë dhe të gëzojë zhvillim ekonomike.

“Duhet t’ju tregojmë të gjithëve që mesazhi ynë është që ne duhet të takohemi, të bisedojmë dhe të mos presim sepse nuk mund të presim të lejojmë të humbim dy apo tri gjenerata të ndërmarrësve të rinj, të punëtorëve të rinj dhe të gjithë atyre që do të mund të zhvillonin vendet tona, pra me fjalë të tjera që të mos na shkojë koha në pritje”, deklaroi Cadez.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriore, Branko Azeski, tha se një bashkëpunim më i mirë në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor do t’i dërgonte një mesazh pozitiv edhe institucioneve evropiane.

Ai tha se kompanitë në Ballkanin Perëndimor kanë nevojë për një komunikim më të mirë dhe se do të shfrytëzojnë model të përafërt me atë nordik për të përmirësuar këtë mangësi. Azeski deklaroi se është turpëruese që të kemi bashkëpunim më të mirë ekonomik me një vend që është 2000 kilometra larg nesh se sa me njëri-tjetrin.

“Çdo kompani në Ballkanin Perëndimor do të ketë pakon e shërbimeve të veta dhe do të kemi disa institucione të përbashkëta që do të përmirësojnë bashkëpunimin ndërmjet kompanive, pra do të kemi një lloj modeli nordik i cili do të përmirësojë komunikimin tonë, por asesi nuk do të pengojë pavarësinë e këtyre vendeve. Që të mos tingëllojë vetëm si deklaratë, e dimë ku po fillojmë, pra me një arbitrazh të përbashkët, me një byro të përbashkët kreditore, një politikë të përbashkët doganore dhe zhdukjen e këtyre kolonave të stërzgjatura të kamionetave në kufijtë tanë që janë një lloj trupi për të gjithë ne.[…] Do të ngrisim nivelin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet nesh sepse është turpëruese që të kemi bashkëpunim më të mirë ekonomik me një vend që është 2000 kilometra larg nesh se sa me vendin që e kemi fqinj”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Malit të Zi, Vlastimir Goluboviç, tha se është një mundësi e mirë që së bashku të ndajnë shqetësimet e të gjithë ndërmarrësve që përfaqësojnë me çështje të ndryshme dhe t’ju dërgohet mesazh të gjithë atyre që kanë mundësi për t’ju përgjigjur këtyre sfidave.

Ai më pas shpalosi edhe disa prej projekteve që mund të realizohen në vitet në vazhdim falë edhe mbështetjes së disa institucioneve bankare dhe vendeve evropiane.

Sekretari i CIF-it, Safet Gërxhaliu, tha se prania e kryetarëve të Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor është mesazh për politikën dhe se integrimi ekonomik është pa alternativë e ky bashkëpunim ka bërë hapa më të mëdhenj se politika.