​Hungaria shumë e fortë për Rrahmanin, zbulon çka iu ka kërkuar Foda

Para miqësores kundër Hungarisë, kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani ka folur për mediat, ku e cilësoi kundërshtarin e nesërm tejet të fortë, ndërsa zbuloi edhe kërkesën e trajnerit Franco Foda.

Rahmani tha se ndeshja e nesërme është e rëndësishme në vazhdën e përgatitjeve për Ligën e Kombeve.

“Ndeshja e nesërme është shumë e rëndësishme për ne, pasi do të na ndihmojë që të përgatitemi për ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe të kuptojmë idetë e trajnerit. Jemi të vetëdijshëm se do të zhvillojmë një ndeshje me një Kombëtare shumë të fortë evropiane”, tha Rrahmani.

Më tej, kapiteni i “Dardanëve” dhe ylli i Napolit zbuloi kërkesën e trajnerit Foda për miqësoren e nesërme.

“Trajneri ka kërkuar nga ne që të fitojmë topin sa më afër golit të kundërshtarit në mënyrë që të kemi sa më shumë mundësi të shënimit”, tha më tej Rrahmani.

Kosova luan nesër kundër Hungarisë në “Puskas Arena” me fillim nga ora 19:00.

Back to top button