Në prani të më të afërmve të tij dhe presidentit të shtetit, lideri i partisë Demokracia e Re, Kirjakos Micotakis dha betim solemn në pallatin presidencial

Në prani të më të afërmve të tij dhe presidentit të shtetit, lideri i partisë Demokracia e Re, Kirjakos Micotakis dha betim solemn në pallatin presidencial

Në këtë ngjarje solemne kanë marrë pjesë bashkëshortja e Micotakisit dhe tre fëmijët e tyre, motrat e kryeministrit të ri, mes të cilave edhe ish shefja e diplomacisë greke, Dora Bakojani.

Demokracia e Re me 39,8% të votave i fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Greqi, ndërsa Siriza e kryeministrit të deritanishëm, fitoi 31,6%,. Sipas vlerësimeve, Demokracia e Re do të ketë 158 ulëse në Parlament prej gjithsej 300, ndërsa kjo do të thotë se ai mund ta formojë kabinetin qeveritar pa bërë koalicion me partitë e tjera.

“Populli grek na dha mandat për ndryshime në Greqi. Ne do ta respektojmë këtë mandat në tërësi. Nga sot fillon puna e mundimshme. Kam besim të plotë në aftësitë tona që të ballafaqohemi me sfidat”, u shpreh kryeministri i ri i Greqisë, Kirjakos Micotakis.

Micotakis nuk sqaroi nëse këto ndryshime kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Prespës. Ai e shfrytëzoi revoltin e opinionit publik të Greqisë për Marrëveshjen e Ciprasit me Shkup për zgjidhjen e çështjes së emrit. Ai vazhdimisht dërgonte kritika për këtë marrëveshje për shkak se, siç pohon ai, me këtë marrëveshje njihet kombi maqedonas dhe gjuha maqedonase, gjë që nuk është në favor të popullit grek. Disa ditë para fitimit të këtyre zgjedhjeve, Micotakis paralajmëroi se Marrëveshja e Prespës nuk mund të prishet nga njëra palë.

“Sa i përket Marrëveshjes së Prespës, nuk pritet ndryshime. Në të kundërtën, Cipras ia lehtësoi punën Micotakisit i cili ishte kundërshtar i madh i Marrëveshjes së Prespës , arsyet ishim më shumë politike se sa reale. Shumë e rëndësishme është ajo që e djathta ekstreme nuk fitoi vota të mjaftueshme për të hyrë në Parlament. Kështu që kjo do ta lehtësojë tensionin nga motivet nacionaliste”, tha Nano Ruzhin, ish ambasador në NATO.

Edhe pse stazhi i tij si politikan nuk është shumë i gjatë, për shkak se në parlamentin grek për herë të parë hyri para 15 vjetëve, Micotakisi përket familjes Micotakis e cila së bashku me familjen Papandreu, me orientim socialist, dhe familjen Karamanlis me përcaktime konservative, me dekada të tëra dominonte në skenën politike të Greqisë. Ai është i biri i kryeministrit grek të ndjerë nga fillimi i 90-ve të shekullit të kaluar, Konstantin Micotakis, në kohën e të cilit u bë kontesti shumë vjeçar për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë.

Motra e tij, Dora Bakojani ishte kryetarja e Athinës gjatë mbajtjes së lojërave olimpike verore në vitin 2004, ndërsa ishte edhe ministre e punëve të jashtme në qeverinë e Kosta Karamanlis nga viti 2006 deri në vitin 2009. Në këtë periudhë Maqedonia është bllokuar për anëtarësimin e saj në NATO na Samitin e Bukureshtit në vitin 2008.

Përndryshe, kryeministri i Maqedonisë sëVeriut, Zoran Zaev përmes telefonit ia uroi fitoren Micotakisit. Zaev ka shprehur optimizëm se Greqia do ta përkrahë Maqedoninë e Veriut për anëtarësimin në NATO dhe BE. Megjithatë, nga kabineti qeveritar nuk njoftojnë nëse kanë biseduar edhe për Marrëveshjen e Prespës.