"Shpresoj që organet e rendit do ta hetojnë këtë rast deri në fund"

“Shpresoj që organet e rendit do ta hetojnë këtë rast deri në fund”

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku sot reagoi pas publikimit të fotografisë nga deputetja Flora Brovina.

Çitaku lidhur me këtë çështje u shpreh se është e tronditur thellë dhe shpreson që organet kompetente ta hetojnë rastin.

“Asgjë nuk na shfajson për dhimbjen që ua shkaktuam mijëra viktimave dhe të mbijetuarave të dhunës seksuale 20 vite pas luftës.  Jam e tronditur deri në palcë, dhe personalisht ju kërkoj falje, që lejuam që një kauzë kaq tē dhimbshme ta degradojmë në këtë mënyrë.  Turpi bie mbi ne.  Shpresoj që organet e rendit do ta hetojnë këtë rast deri në fund”, shkroi Çitaku në facebook.

Ambasadorja më tutje u shpreh që akterët e përfshirë të nxjerrin mësimet nga ngjarjet e djeshme dhe të mos i përdorin heroinat tona për protagonizëm politik.

“Tendeca të protagonizmit dhe ngritjes së profilit përmes dhimbjes dhe plagëve të të mbijetuarave të dhunës ka pasë edhe më herët. Ta ndalim këtë qasje dhe të zotohemi të sjellim drejtësi për të gjithë ata që paguan lartë çmimin e lirisë që gëzojmë sot”, shkroi më tutje Çitaku.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës ka publikuar dje një foto, në të cilën shihet një grua teksa dhunohet nga disa ushtarë. Deputetja Flora Brovina këtë fotografi e ka prezantuar si dëshmi të dhunimit të grave gjatë luftës në Kosovë. Megjithatë, në një kërkim në Google, e njëjta fotografi paraqitet online, madje me një faqe me përmbajtje pornografike.

Deputetja e PDK-së Flora Brovina sot u mor në pyetje nga Prokuroria Speciale në Prishtinë për fotografinë që publikoi një ditë më parë, përmes të cilës pretendohej se dëshmon dhunimet që kanë kryer forcat serbe në Kosovë. Deputetja Brovina pas intervistimit u shpreh se ishte manipuluar, duke iu kërkuar falje të gjithëve. Ndërsa, në Prokurorinë Speciale në Prishtinë thanë se hetimet për rastin e publikimit të fotografisë do të vazhdojnë./21Media