Çitaku: Serbia nuk është e sinqertë në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve

“Kjo dhomë është shndërruar në teatër dhe mundësi e Serbisë për të treguar përralla”

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku në fjalimin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ka thënë se kjo dhomë është shndërruar në teatër dhe mundësi e Serbisë për të treguar përralla dhe është e turpshme që kjo dhomë po keqpërdoret.

“Nuk e kuptoj pse jemi sot këtu. Kosova nuk është temë e re për këtë dhomë. Për shumë njerëz në botë ishte lufta e viteve të 90-ta, ajo që e solli Kosovën në vëmendjen tuaj, por kjo nuk është përvojë e izoluar. Kësaj lufte i kanë paraprirë vite të gjata, që na u janë mohuar të drejtat tona elementare, dhe nuk kemi pas të drejtë as të flasim e as të shkruajmë në gjuhën tonë. Derisa ne po shënojmë 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, ne festojmë po ashtu edhe rolin e OKB-së në Kosovë. Vendi ynë, u ngrit nga pluhuri i luftës dhe ishte administrata e Kombeve të Bashkuara që na ndihmojë të ngritemi”, ka thënë Çitaku.

Çitaku ka thënë se Kosova e barti të drejtën e vet kur shpalli pavarësinë dhe se nuk ka shkelur asnjë të drejtë ndërkombëtare.

Ajo ka thënë se është e pa besueshme që ky këshill ka mbledhur më shumë sesione për të folur për Kosovën sesa e ka bërë për Siri ose Jemen.

“Pse jemi mbledhur ne sot këtu dhe atë për herë të tretë për 4 muaj është e pa besueshme që ky këshill ka mbledhur më shumë sesione për të folur për Kosovën sesa e ka bërë për Siri ose Jemen. Kjo dhomë është shndërruar në një teatër dhe mundësi e Serbisë për të treguar përralla dhe është e turpshme që kjo dhomë po keqpërdoret”, ka thënë Çitaku.

Ajo ka thënë se UNMIK-u nuk ka rol në Kosovë dhe nuk ka mandat për të ushtruar rolin. “Në fakt, gjithë kjo çka po ndodhë është një dëshmi tjetër se Serbia nuk është e sinqertë në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Dialogu nuk ishte, nuk është për të drejtën e Kosovës për të qenë një vend i lirë”.

“11 vite më parë, një Republikë e re lindi në Evropë dhe Kosova as sot dhe as nesër, dhe as kurrë nuk do të negocioj shtetësinë tonë,  pavarësinë tonë. Duam të ndërtojmë marrëdhënie fqinjësore dhe këtu qëndron problemi sepse Serbia kundërshton idenë se Kosova është e barabartë dhe krijojnë drama të panevojshme prandaj, e shohim se është e imponueshme se ata kanë një refuzim këmbëngulë se jemi të barabartë,  por kjo është problem i Serbisë.

Ju takon juve anëtarë të kësaj dhomë të rëndësishme të mos ja mundësoni këtë parodi për t’ju shmangur pranimit të realitetit. Nëse ata mendojnë se mund ta kushtëzojnë dialogun për të na dhënë të drejtën për të qenë shtet, por ne nuk do ta ngrijmë shtetësinë tonë”, ka thënë Çitaku./21Media

 

 

 

Back to top button