Çitaku u bën apel qytetarëve për maturi nesër

Çitaku: Të dëshmohemi edhe nesër si partner serioz dhe i besueshëm

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të jenë të matur nesër kur planifikohet që FSK të transformohet në ushtri.

Ndërsa këtë vendim e ka cilësuar si të natyrshëm.

“Sikur para 10 vitesh kur shpallem pavarësinë, edhe nesër duhet të jemi të vëmendshëm dhe të matur në festën tonë. Pa triumfalizëm. Me dinjitet. Nesër Kosova e merr një vendim të natyrshëm. Dhe nuk duhet të harrojmë kurrë se ajo çka e mbanë Kosovën të sigurtë është kualiteti i aleancave tona. Të dëshmohemi edhe nesër si partner serioz dhe i besueshëm.”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Nesër nga ora 10:00 do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës ku do të hidhet në votim transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Në rend dite do të jetë shqyrtimi i tri projektligjeve: Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ndërsa ceremonia në Ministrinë e FSK-së do të mbahet nga ora 17:00. /21Media

Back to top button