Si duhet të trajtohen, për rtv21.tv shpjegon onkologu

Si duhet të trajtohen, për rtv21.tv shpjegon onkologu

260 raste të reja me Kancer të Gjirit janë paraqitur vetëm brenda 9 mujave të këtij viti nga periudha janar- shtator në Klinikën e Onkologjisë në QKUK. Kjo për rtv21.tv është bërë e ditur nga onkologu Arben Bislimi.

Trajtimi i kësaj sëmundje bëhet me metoda të ndryshme: kimioterapi, terapia me rrezatim, target terapia e të tjera.

Por çka nëse me kancer të gjirit preket një grua shtatzënë, si duhet të veprohet në këtë rast në mënyrë që mjekimi i nënës mos ta dëmtojë beben?

Lidhur me këtë onkologu, Bislimi ka thënë se edhe pse është i rrallë Kanceri i Gjirit tek gratë shtatzëna, sipas tij në botë po shtohen rastet për arsye të rritjes së moshës së femrave shtatzëna.

Sa i përket trajtimit, Arben Bislimi ka shpjeguar se kjo bëhet nën kujdesin e gjinekologut dhe onkologut varësisht nga mosha e zhvillimit të frytit dhe stadi i kancerit.

“Kimioterapia besohet se është e sigurt për foshnjën nëse jepet në tremujorin e dytë ose të tretë të shtatzënisë, por nuk është i sigurt në tremujorin e parë. Trajtimet e tjera të kancerit të gjirit, të tilla si terapia hormonale, terapia target dhe me rrezatim, kanë më shumë gjasa të dëmtojnë fëmijën dhe zakonisht nuk jepen gjatë shtatzënisë.”, ka sqaruar ai për rtv21.tv

Onkologu Arben Bislimi po ashtu ka folur edhe për moshat më të rrezikuara nga Kanceri i Gjirit.

“Shfaqja e Kancerit të Gjirit rritet me rritjen e moshës d.m.th zakonisht paraqiten më shpesh pas moshes 45 vjeç, por nuk përjashtohen edhe moshat e tjera!”, ka treguar ai.

Tetori njihet si muaji i ndërgjegjësimit rreth Kancerit të Gjirit megjithatë ndërgjësimi në Kosovë nuk konsiderohet i kënaqshëm nga Bislimi.

“Shoqata e Onkologëve përfaqesues i të cilës jam ,ka disa vite rresht që po mundohet të jep kontributin në këtë drejtim.Shpresojmë për aplikimin e një strategjie kombëtare qe te gjitha gratë e moshës që duhet të bëjne screening për këtë sëmundje të jetë çështje e domosdoshme dhe obligative.”, ka përfunduar Bislimi.

Kujtojmë se gjatë vitit të kaluar në periudhën e njëjtë kohore, pra gjatë muajve janar- shtator 2017 janë regjistruar 239 raste me Kancer të Gjirit gjë që rezluton se gjatë këtij viti janë regjistruar 21 raste më shumë se vitin paraprak./21Media