Publikohen statistikat zyrtare të vitit akademik  2017/18

Publikohen statistikat zyrtare të vitit akademik  2017/18

Në vitin akademik 2017/18, 60 studentë nga Kosova kanë ndjekur studimet në universitetet britanike, bazuar në të dhënat e siguruara nga Studying-in-UK.org, një platformë e informimit online të studentëve internacionalë në Britaninë e Madhe.

Duke qenë lider botëror në edukimin e lartë, universitetet britanike tërheqin vëmendjen edhe të një numri të madh të studentëve të talentuar nga Kosova. Bazuar në statistikat e fundit zyrtare, në vitin akademik 2017/18 , saktësisht 60 studentë kosovarë ishin të regjistruar në universitetet britanike. Krahasuar me tri vite më parë kur universitetet britanike raportonin për 50 studentë nga Kosova vërehet një ngritje e vogël.

Njëlloj si për shumicën e studentëve të huaj në Britani, programet studimore në fushën e biznesit ishin zgjedhja më e preferuar për studentët kosovarë. Statistikat tregojnë se një e treta e tyre ose 20 studentë ndoqën studimet për biznes dhe administratë përgjatë vitit akademik 2017/18.

Drejtime tjera të preferuara ishin shkencat sociale me 10 studentë, ndërkohë që programet e mjekësisë, inxhinierisë dhe teknologjisë, shkencave kompjuterike, medias dhe komunikimit masiv si dhe historisë e studimeve filozofike numëruan nga 5 studentë kosovarë.

Përveç numrit të tyre, ky raport statistikor ofron edhe karakteristika të tjera duke përfshirë këtu shpërndarjen e studentëve kosovarë sipas shteteve britanike dhe në cilin nivel akademik ishin të regjistruar pjesa më e madhe e tyre.

Gjatë vitit të kaluar akademik, shumica e studentëve kosovarë kishin zgjedhur universitetet angleze për të ndjekur studimet e tyre universitetet. Siç tregohet në statistika, nga 60 studentët kosovarë që ishin duke ndjekur studimet në Britaninë e Madhe gjatë 2017/18, 55 prej tyre vijonin studimet në Angli. Vetëm 5 studentë të tjerë kishin zgjedhur Skotlandën, ndërkohë që asnjë student nga Kosova nuk ishte në Irlandën Veriore apo Wales.

Sa i përket nivelit akademik, pjesa më e madhe e studentëve kosovarë gjatë vitit të kaluar ishin të regjistruar në nivelin post-diplomik. Saktësisht 40 studentë po ndiqnin studimet për master ose doktoraturë kundrejt 20 që ishin studentë bachelor-i.

Tutje, statistikat zbulojnë shpërndarjen e studentëve të huaj sipas regjioneve individuale angleze. Jo rastësisht universitetet e Londrës kanë qenë destinacioni me i shpeshtë i studentëve nga Kosova. Gjatë vitit të kaluar akademik universitetet londineze raportuan për 30 studentë kosovarë.

Tanimë është fakt i njohur botërisht që universitetet britanike, sidomos ato të Anglisë, gëzojnë një reputacion të pamohueshëm global duke tërhequr studentë nga e tërë bota. Aktualisht, Britania renditet e dyta në listën e shteteve me më së shumti student të huaj, duke numëruar kështu mbi 458 mijë studentë internacionalë në vitin akademik 2017/18.

Megjithatë, një sërë lëvizjesh politike viteve të fundit, kryesisht të lidhura me votimin për largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian ne referendumin e Qershorit të 2016-tës ka ngjallur shqetësim të autoritetet e larta të edukimit në ishull për një efekt negativ afatgjatë në reputacionin dhe financat e tyre.

Liderët universitarë dhe ekspertë të edukimit të lartë theksojnë se studentët evropianë do të ndihen të dekurajuar pasi do të detyrohen të paguajnë më shumë dhe nuk do të kenë qasje në grantet për studentë. Kjo, sipas tyre, do t’i detyronte universitetet britanike të plotësonin vakuumin buxhetor duke synuar studentët jo-evropianë, përfshirë edhe ata nga vende të vogla si Kosova. Ata përmendin mungesën e një strategjie të mirëfilltë të universiteteve dhe autoriteteve në këtë drejtim. Prandaj, mbetet me interes të shihet si do të ndryshojë numri i studentëve kosovarë në Britani në vitet ne vazhdim.

60 studentë kosovarë kanë studiuar në universitetet britanike gjatë vitit akademik 2017/18

Statistikisht pjesa më e madhe e tyre studiuan në nivelin post-diplomik

Programet studimore në fushën e biznesit mbesin zgjedhja e preferuar për studentët nga Kosova