"Dëshiroj të ju shoh duke festuar e duke u gëzuar"

“Dëshiroj të ju shoh duke festuar e duke u gëzuar”

Ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton mbajti fjalim në tubimin e shënimit të 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, në sheshin “Skënderbeu”.

Gjatë fjalimit të tij, Clinton foli për të ardhmen e Kosovës, por edhe kujtoi rrëfime të së kaluarës.

Ndër të tjera Clinton tregoi se gati qe 19 vjet që ka dalë nga Shtëpia e Bardhë ndër gjërat më të mrekullueshme që i ndodhin, në New York, në ashensor, apo në tryeza është falënderimi i njerëzve ndaj tij.

Ai kujtoi një rast kur ishte në një darkë në një hotel dhe një kamarier shqiptar i kishte rënë në gjunjë, duke e falënderuar për ato që ka bërë për Kosovën, shkruan rtv21.tv

“Dëshiroj të ju shoh duke festuar e duke u gëzuar, dëshiroj që e kaluara të jetë me përkujtim e harruar”, shtoi më tutje Clinton, duke theksuar që Zoti të bekojë qytetarët e Kosovës.

“Zot bekoji qytetarët e Kosovës për atë që jeni, lus Zotin që të përparoni për atë që mund ta arrini”, përfundoi Bill Clinton.

Në kremtimin e ditës së çlirimit sot morën pjesë: ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, ish-sekretarja, Madeleine Albright, ish-komandanti i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali Wesley Clark, kreu i shtetit të Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e shumë emra të tjerë. Ky tubim u hap me një dokumentar që i dedikohet 20- vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë, ditë kjo e cila konsiderohet si Dita e Çlirimit të vendit.

Sot bëhen 20 vjet që kur trupat e NATO-s ishin futur në Kosovë për t’i dhënë fund masakrave dhe shovinizmit serb mbi qytetarët e pafajshëm të Kosovës. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, i kishte paraprirë një lufte të ashpër mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe (ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve) dhe pas shumë masakrave të kryera ndaj civilëve shqiptarë. Hyrja e trupave të NATO-s ishte bërë pas marrëveshjes së Kumanovës ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia ishte detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova./21Media