"Çfarë duhet të bëni sot është që të falënderoni Zotin që mund të argumentoni me njëri-tjetrin në Kuvend..."

“Çfarë duhet të bëni sot është që të falënderoni Zotin që mund të argumentoni me njëri-tjetrin në Kuvend…”

Ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton sot në tubimin qendror në shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë falënderoi krerët e shtetit të Kosovës për ftesën që të jetë i pranishëm në këtë tubim të rëndësishëm.

Clinton foli për të ardhmen e Kosovës, por edhe kujtoi rrëfime të së kaluarës. Ai falënderoi qytetarët e Kosovës për mikëpritjen që i kanë b֝ërë atij dhe bashkëshortes së tij, Hillary-t.

“Gjithmonë do të jetë nderi më i madh dhe jam mirënjohës që jam këtu me shumë qytetarë që kanë qenë atëherë këtu e sidomos ish-sekretarja Madeleine Albright, ish-komandanti i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali Wesley Clark”, tha Clinton.

Në kohë paqeje, Clinton tha se më e rëndësishmja është çka duhet të bëhet përpara. “Ju duhet të ngriteni dhe të punoni për atë që mendoni që është e mire”, tha ai, duke shtuar se para se të mendojnë për gjërat që duhet të bëjnë është të jenë mirënjohës.

Ish-presidenti i SHBA-së para qytetarëve të shumtë në sheshin “Skëndërbeu” u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë pranë Kosovës pavarësisht çfarë partie ka qenë në Shtëpinë e Bardhë, shkruan rtv21.tv

“Çfarë duhet të bëni sot është që të falënderoni Zotin që mund të argumentoni me njëri-tjetrin në Kuvend, në tryeza, falënderoni Zotin që mund t’i debatoni këto në paqe’, u shpreh ndër të tjera Clinton.

Ai më tutje tregoi se gati qe 19 vjet që ka dalë nga Shtëpia e Bardhë ndër gjërat më të mrekullueshme që i ndodhin, në New York, në ashensor, apo në tryeza është falënderimi i njerëzve ndaj tij. Ai kujtoi një rast kur ishte në një darkë dhe një kamarier shqiptar i ka rënë në gjunjë, duke e falënderuar.

“Dëshiroj të ju shoh duke festuar e duke u gëzuar, dëshiroj që e kaluara të jetë me përkujtim e harruar”, shtoi më tutje Clinton, duke theksuar që Zoti të bekojë qytetarët e Kosovës.

“Zot bekoji qytetarët e Kosovës për atë që jeni, lus Zotin që të ju inspiroj që të mendoni tani me tepër rreth asaj çfarë akoma mund të arrini”, përfundoi Bill Clinton.

Sot bëhen 20 vjet që kur trupat e NATO-s ishin futur në Kosovë për t’i dhënë fund masakrave dhe shovinizmit serb mbi qytetarët e pafajshëm të Kosovës. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, i kishte paraprirë një lufte të ashpër mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe (ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve) dhe pas shumë masakrave të kryera ndaj civilëve shqiptarë. Hyrja e trupave të NATO-s ishte bërë pas marrëveshjes së Kumanovës ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia ishte detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova./21Media