Çmimi i biletës Prishtinë-Aeroport mund të jetë 3 euro

Nga e hëna do të krijohet një komision me komunën e Prishtinë ku do të vendoset për linjat e autobusit

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe i Transportit, Rexhep Kadriu, ka thënë se mungesa e deritashme për linjën e autobusit Prishtinë-Aeroport është si pasojë e mos vullnetit nga ana e ministrave të kaluar.

“Kemi pasur mbi 2 milionë pasagjerë nga ANP-ja dhe ka qenë e padrejtë që të mos kemi pasur linjë të autobusit”, ka thënë Kadriu për televizionin publik.

Sipas tij nga e hëna do të krijohet një komision me komunën e Prishtinë ku do të vendoset për linjat e autobusit dhe për çmimin që do të paguajnë udhëtarët. “Nuk do të shkojë më shumë se 3 euro bileta e autobusit nga Prishtina deri në Aeroport”, ka thënë Kadriu.

Ai bëri me dije se kanë investuar shumë në komunat e Kosovës ku veçohet edhe Prishtina. “Rruga e Veternikut ka mbetur një greminë. Ne kemi gjetur me një projekt të shpallur, ka qenë pa koordinim me Prishtinën. Do të ndërtohet Rruga “A”, e cila lidh Kalabrinë me lagjen ‘Mat’”, ka thënë ai.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kanë nënshkruar dje marrëveshje bashkëpunimi për lëshimin në qarkullim të linjës së autobusëve të Prishtinës deri në aeroport. Ahmeti ka thënë se pas këtij nënshkrimi kanë për të formuar një komision të përbashkët, për të caktuar orarin dhe çmimin.

Back to top button