Në kuadër të manifestimit "Muzat e Alpeve"

Në kuadër të manifestimit “Muzat e Alpeve”

Çmimi “Teuta” ndahet në kuadër të Manifestimit Letrar Ndërkufitar “Muzat e Alpeve”, organizuar nga Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve nga Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria.

Sivjet, manifestimi “Muzat e Alpeve” mbahet në Gjakovë, Ulqin dhe në Krujë.

Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta” e themeluar nga shrimtarë nga Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria në bashkëorganizim me Teatrin Shqiptar në Amerikë si dhe me Shoqatën e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” të Ulqinit, me 6, 7 dhe 8 korrik 2018, në Gjakovë, Ulqin dhe në Krujë, organizon edicionin e 6-të të Manifestimit Letrar Ndërkufitar “Muzat e Alpeve 2018″.

Sipas kumtesës për media, në përmbyllje të manifestimit ‘Muzat e Alpeve” edhe sivjet ndahet çmimi për vepër jetësore “Teuta” i cili nga Shqipëria-gjegjësisht nga Moikom Zeqo, do të kalojë te shkrimtari i mirënjohur nga Kosova, Nazmi Rrahmani me motivacion: “Një ndër prozatorët më në zë të letërsisë shqiptare dhe ndër më të lexuarit, i futur edhe në lektyrën shkollore në Kosovë i cili vazhdon me botimin e veprave më të rëndësishme të shkrimtarëve shqiptarë, duke i kontribuar nxjerrjes në pah të vlerave letrare si dhe promovimit të tyre” (arsyetimi i “Teutës”, “Muzat e Alpeve 2018”).

Ndërsa, laureat paraprak të këtij çmimi ishin: Jevrem Berkoviç, Dritëro Agolli, Ramiz Kelmendi, Mirash Martinoviç dhe Moikom Zeqo.