Përfundoi edicioni i 7-të i manifestimit "Muzat e Alpeve 2019"

Përfundoi edicioni i 7-të i manifestimit “Muzat e Alpeve 2019”

Shoqata rajonale e shkrimtarëve “TEUTA” në edicionin e 7-të të manifestimit letrar trekufitar “Muzat e Alpeve 2019”, në përmbyllje të aktivitetit të saj treditor, 29-31 gusht në Tivar, Lezhë dhe Prizren, ia ndau çmimin për vepër jetësore “Teuta” akademikut malazez, Zuvdija Hoxhiq Berisha.

“Me tregimet dhe romanet e tij Zuvdija Hoxhiq Berisha futi një proces të ri krijues në letërsinë malazeze, që e bën atë një shkrimtar të pashembullt dhe pa paraardhës. Në gjithçka dhe me meritë, i takon njësoj letërsisë malazeze, shqiptare dhe boshnjake, dhe mbi të gjitha asaj evropiane, sipas mesazheve universale dhe të vërtetave të përjetshme, me të cilat rrezatojnë shkrimtarët e mëdhenj dhe veprat e mëdha, çfarë padyshim është edhe ai dhe vepra e tij”, thuhet në arsyetimin për ndarjen e këtij çmimi.

Çmimin në emër të “Teutës” akademikut Hogjiq Berisha, ia dorëzoi ish-ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Skender Durmishi.

Akademik Zuvdia Hoxhiq Berisha e quajti këtë çmim si më të veçantin ndër ata që i ka marrë deri më tani, ngaqë Kosova është vendlindja e paraardhësve të tij.

“Ishim në Tivar dhe në Lezhë me aktivitete, por unë jam shumë i gëzuar që çmimi “Teuta”  m’u dorëzua këtu në Prizren nga miku im ambasadori Skender Durmishi. Çmimi ka një domethënie të madhe për mua ngaqë jepet nga një shoqatë trekufitare me emrin e mbretëreshës ilire Teuta, e cila i ka vënë vetes qëllimin fisnik të njohjes së ndërsjellë të letërsisë, si dhe të përafrimit më të madh të popujve tanë fqinj nëpërmjet kulturës. Diçka që ka munguar deri me tani, por që po realizohet me shumë sukses”, tha ai.

Karvani i “Teutës”, “Muzat e Alpeve” përgjatë viteve 2013-2019 ka përshkuar 16 komuna dhe bashki të Kosovës, Malit të Zi dhe të Shqipërisë.

Ndryshe, çmimin për vepër jetësore “Teuta” e kanë marrë edhe shkrimtarët e tjerë të shquar, Jerem Brkoviq, Dritëro Agolli, Ramiz Kelmendi, Mirash Martinoviq, Moikom Zeqo dhe Nazmi Rrahmani.