ÇOHU: Dhënia e shtesave për prokurorët, ndërhyrje në sistemin e drejtësisë

ÇOHU dhe GLPS kanë kërkuar nga Qeveria të ndalin precedentët e tilla

Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, Çohu! dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) kanë reaguar ndaj paralajmërimit të Kryeministrit për dhënien e shtesave financiare për prokurorët e Prokurorisë Speciale të Kosovës si kontribut në luftën kundër korrupsionit dhe ndaj një praktike të tillë të vendimeve të Qeverisë.

Sipas tyre, një vendim eventual i Qeverisë lidhur më këtë, është një praktikë e rrezikshme dhe paraqet ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

“Çohu! dhe GLPS konsiderojnë se Vendimi për shtesat e tilla është ndërhyrje në pavarësinë financiare të Prokurorisë Speciale dhe shpreh haptazi konceptin klientelesk të trajtimit të sektorit të drejtësisë nga ana e Qeverisë. Të marrësh një vendim të tillë në Javën Kundër Korrupsionit është përveçse një precedent i rrezikshëm, është gjithashtu i dëmshëm për vet sistemin prokurorial. Bazuar në legjislacionin në fuqi, Kuvendi është ai që disponon kompetencën për përcaktimin e niveleve të financimit në sistemin prokurorial dhe atë, sipas propozimit të Këshillit Prokurorial, e jo Qeverisë. Çdo ndërhyrje në këtë qark vendimmarrës, aq më tepër përmes një vendimi qeverie, e jo ligji për buxhetin, përbën ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të pavarur prokurorial dhe është një koncept klientelesk i trajtimit të prokurorëve”, thuhet në reagim.

Theksohet se edhe sipas Opinionit të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropian vendimet qeveritare për rritje pagash konsiderohen ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

Organizata Çohu! dhe GLPS përmes këtij reagimi kërkojnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të ndalë precedentët e tilla. “Njëjtë si një vendim eventual për shtesat e prokurorëve të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjithashtu ai (vendimi) për pagat, janë veprime të paplanifikuara dhe pa asnjë analizë financiare e funksionale paraprake. Një Qeveri që i përkushtohet rendit e ligjit ofron shembuj të rritjes së transparencës, nënshtrimit të plotë ndaj pavarësisë së sistemit të drejtësisë, krijimit të infrastrukturës së nevojshme ligjore dhe ofrimit të kushteve për parandalim të çfarëdo ndërhyrjeje politike në këtë të fundit”, theksohet në reagim.

Organizata Çohu dhe GLPS rikujtojnë që përkundër vendimit për rritje pagash për sektorin e drejtësisë nga Qeveria e Kosovës ende nuk ka prodhuar asnjë efekt të qëndrueshëm në performancën, efektivitetin dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dje kishte thënë se nga sot prokurorët specialë do të kenë edhe shtesat e pagës, duke e vlerësuar si hap të rëndësishëm në lufimin e korrupsionit. “Me qëllim të zbatimit të këtyre ligjeve në praktikë, në Mbledhjen e nesërme të Qeverisë, do të vendosim për shtesë financiare në pagë për prokurorët specialë, me qëllim të fuqizimit të Prokurorisë Speciale, si hap i rendësishëm për luftën kundër korrupsionit. Prokurorët specialë, të cilët ndjekin këtë fushë, nga nesër do të kenë edhe shtesat e pagës që do t’u japë atyre më shumë konfidencë që të zbulojnë dhe ndjekin veprat e korrupsionit”, ka shkruar i pari i ekzekutivit në llogarinë e tij “Facebook”.

Sot me fillim nga ora 14:00 mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë, ku pritet se a do të miratohet vendimi i kreut të Qeverisë.

Back to top button