Ambasadori britanez O'Connell së bashku me ministrin Kujtim Gashi morën pjesë në turneun e "Mini Rugby"

Ambasadori britanez O’Connell së bashku me ministrin Kujtim Gashi morën pjesë në turneun e “Mini Rugby”

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bashkë me ambasadorin britanez Roairi O’ Connell, ka marrë pjesë në turneun e “Mini Rugby”, i cili u organizua në fushën e futbollit “Vigani” në Matiqan.

Ai ka thënë se sot ka ardhur që të shohë nga afër se si të rinjtë po e praktikojnë këtë sport, dhe njëherësh ka njoftuar se pas themelimit të gjashtë klubeve të ragbit, tashmë, për herë të parë në Kosovë do ta licensojnë edhe Federatën e Ragbit. Gashi tha se ky sport i ka munguar Kosovës dhe u shpreh i interesuar që përmes ministrisë që ai drejton, të investojnë më shumë në këtë sport.

“Tashmë gjashtë klube ekzistojnë në Kosovë, gjashtë klube të ragbit dhe së shpejti, ne Ministria e Sportit do ta licensojmë federatën e ragbit për herë të parë në Kosovë, është një sport jashtëzakonisht atraktiv i cili, po e përsëris, ka munguar te ne, dhe unë si ministër por edhe ministria e Sportit jemi jashtëzakonisht të interesuar dhe të përkushtuar që të kemi sa më shumë lloje të sporteve, dhe njëri nga ta do të jetë edhe sporti i ragbit. Sot jam këtu për të pa se si të rinjët tanë mund të mishërohen me këtë sport dhe në të njëjtën kohë, bashkë me ambasadorin të dakordohemi ku të fillojmë investimet për ndërtimin e ndonjë fushe për këtë lloj sporti sepse besoj fuqishëm që ka me u përqafu nga shumë të rinj”, ka thënë Gashi.

Kurse, ambasadori i Britanisë në Kosovë, Roairi O’Connell, tha se ky sport kërkon trimëri, e sipas tij, trimëria nuk mungon në Kosovë. Ai tha se ky sport është për të gjithë dhe u shpreh optimist për popullarizimin e këtij sporti në Kosovë. Gjithashtu, Connell tregoi se kanë pasur mbështetje nga MKRS dhe Komiteti Olimpik i Kosovës.

“Gjithmonë kam menduar që sporti më i përshtatshëm për kosovarët është ragbi dhe populli ma i përshtatshëm janë kosovarët. Na vjen shumë mirë që kanë ardhur me dhjetëra e qindra njerëz me kqyrë këtë sport. Ka kosovarë, shqiptarë po edhe serbë të Kosovës që luajnë në diasporë, jashtë vendit dhe shpresojmë që do ta popullarizojmë sportin e ragbit këtu në Kosovë”, ka thënë Connell.

Kurse Shpëtim Shujaku, lojtar nga klubi i ragbit “Bears RFC” ka thënë se pavarësisht që është një sport i ri, pret pjesëmarrje të madhe dhe shpreson që të shndërrohet një sport i rëndësishëm në Kosovë.

“Ky sport është ende në fazat fillestare të zhvillimit në Kosovë, pasi që nuk ka shumë klube, mirëpo, besojmë që me kalimin e kohës, ragbi do të zhvillohet si një sport i rëndësishëm në Kosovë, pasi që edhe në nivelin botëror po arrin të ketë një atraktivitet”, ka thënë Shujaku.

Përndryshe, në kuadër të themelimit të Federatës së Ragbit, u zhvillua turneu i parë në këtë sport.