COSME, programi që do t’i ndihmojë bizneset në Kosovë

Ministri Shala ka thënë se MTI po punon që Kosovën ta bëjë vend ideal për biznese

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë kanë organizuar konferencën: “BE promovon ndërmarrësinë dhe NVM-të: – Programi COSME”. Në këtë konferencë është bërë e ditur se Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme janë shtyllë e ekonomisë evropiane, të cilat sigurojnë 85 përqind të vendeve të reja të punës.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka thënë me këtë rast se MTI është duke punuar që Kosovën ta bëjë një vend ideal për të bërë biznes dhe për të rritur konkurrueshmërinë.

“Programi COSME është një mundësi e mirë për t’i ndihmuar bizneset për qasje në financa dhe rritjen e mundësive për në tregjet rajonale të evropiane”, ka thënë Shala.

Zëvëndësshefi për bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Libor Chlad ka thënë se Komisioni Evropian synon të promovojë ndërmarrësinë dhe të përmirësojë mjedisin afarist për NVM-të, për t’u mundësuar atyre të realizojnë potencialin e tyre të plotë në ekonominë e sotme globale.

“Konkurrenca në tregun e evropian është e ashpër dhe NVM-të në Kosovë duhet të jenë të përkushtuara për rritjen e cilësisë dhe potencialit të tyre. Po ashtu duhet të jenë konkurrente në mënyrë të drejt dhe fer”, ka thënë Chlad.

Ndërsa, eksperti i projektit të BE-së, Sotiraq Guga ka thënë se COSME është program i BE-së për konkurrueshmërinë e sipërmarrjeve dhe NVM-ve, për periudhën 2014-2020, me një buxhet prej 2.3 miliardë euro.

COSME sipas tij, do të përkrahë NVM-të në fushat në vijim: Lehtësimin e qasjes në financa, përkrahjen e ndërkombëtarizimit dhe qasje në tregje, krijimin e një mjedisi të favorshëm për konkurrueshmëri dhe inkurajim i një kulture sipërmarrëse.

Back to top button