Ç’po ndodh me ishujt e Ksamilit?

A po e dëmtojnë bizneset vijën bregdetare në Ksamil

Vija bregdetare e Ksamilit ka veçantinë se nuk është e mbushur me ndërtime apo lokale si pjesa tjetër e vijës bregdetare të Shqipërisë.

Mirëpo, një gjë e tillë ka nisur të dëmtohet nga disa biznese që kërkojnë të përfitojnë hapësira më të mëdha plazhi, duke hedhur materiale e sasi rëre në det. Përveçse dëmtojnë faunën dhe florën përreth ndërhyrje të tilla dëmtojnë edhe shkëmbore të virgjër.

Kontrolli i territorit në Ksamil nuk funksionon pasi shihet edhe nga disa pamje ku në mes të ditës punëtorë derdhin mbetje inerte në det duke krijuar hapësirë për plazh. Sipas ligjit kontrolli i vijës bregdetare është detyrë e IKMT.

Shqetësimin për fenomenin e ngre edhe drejtori i Agjencisë së Bregdetit në Shqipëri, Auron Tare, i cili thotë se ishujt e Ksamilit po shfrytëzohen për biznes e kjo është e palejueshme. ‘Ishujt e Ksamilit që janë uzurpuar nga një subjekt, të cilin mendoj që edhe policia edhe bashkia e njeh kush është. Nuk merr asnjë lloj mase për ta larguar këtë subjekt. Ishulli i Ksamilit është pronë publike. Qytetarët nuk duhet të paguajnë asgjë për të shkuar në plazh, ’tha Tare.

Ishujt e Ksamilit mbrohen sipas 3 kategorive pasi përfshihen në territorin e parkut kombëtar të Butrintit, janë monument natyre e ndërkohë janë zonë e mbrojtur edhe me vendim të Këshillit të Ministrave.

Back to top button