Crystal Palace i shkakton edhe një humbje të pakëndshme Arsenalit
Tabelës i prin Chelsea me 75 pikë, derisa Arsenal renditet i gjashti me 54 pikë
Arsenali pësoi humbje të thellë si mysafir nga Crystal Palace në kuadër të xhiros 32 të kampionatit anglez në futboll me rezultat 3:0.
Në minutën 17 Zaha nga ana e djathtë asistoi Townsend, i cili shfrytëzoi rastin që mbrojtja e “topçinjve” kishte fjetur dhe dërgoi topin në rrjetë për 1:0, i cili ishte rezultati përfundimtar i pjesës së parë.
Në pjesën e dytë në diferencë prej vetëm pesë minutash vendësit në “Selhurst Park” kryen punën.
Në minutën 63, Zaha u regjistrua si asistent, ndërsa autor i golit ishte Cabaye për 2:0. Rezultatin përfundimtar prej 3:0 e vendosi Milivojeviq nga penalltia në minutën 68.
Kjo ndeshje, përfshirë edhe atë kundër Watford, ishte edicioni më i dobët i Arsenalit në këtë sezon dhe tifozët edhe në këtë takim kërkuan dorëheqjen e Wenger.
Tabelës i prin Chelsea me 75 pikë, derisa Arsenal renditet i gjashti me 54 pikë. Crystal Palace është i 16-ti në tabelë me 34 pikë.