26 bashkatdhetarë lirohen nga spitali në Kroaci, sonte pritet të kthehen në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia sot ka informuar se pas diskutimeve të fundit me menaxhmentin e spitalit ne Sllavonski Brod dhe Ministrin e Shëndetësisë, Vili Berosh, tani më janë liruar 26 bashkëatdhetarë, të cilët janë lënduar në aksidentin e së dielës në Kroaci. Ministri ka informuar se të liruarit janë vendosur në ambiente të përshtatshme dhe sonte po përgatitet kthimi i tyre në Kosovë.
Vitia ka bërë të ditur se për momentin në spitalin e Sllavonski Brodit janë ende të shtrirë 15 bashkëatdhetarë, nga të cilët dy në njësinë intenzive dhe një prej tyre është ende në gjendje të rëndë.
“Të tjerët janë stabil dhe jashtë rrezikut për jetë. Ndërsa një pacient që ishte dërguar në spital në Zagreb, është në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Gjatë ditës së sotme priten edhe lirime të tjera.”, ka shkruar Vitia në facebook.
Ai ka ngushëlluar familjarët për humbjen e jetës së dhjetë bashkëqytetarëve në aksident tragjik dhe iu ka uruar shërim sa më të shpejtë për pacientët, duke siguruar se Qeveria do të qëndrojë vazhdimisht pranë për të lehtësuar sadopak dhimbjen në këto momente të vështira.
Ndryshe, një autobus nga Kosova është aksidentuar të dielën në mëngjes në Slavonski Brod të Kroacisë, ku kanë vdekur 10 bashkatdhetarë, 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore dhe prej tyre 15 kanë marrë lëndime më të rënda.
Në nder të 10 personave të vdekur në aksident, në Prishtinë të dielën në mbrëmje janë ndezur qirinj, ndërsa dita e hënë është shpallur ditë zie./21Media

Back to top button