Rita dhe Bebe në përkrahje të shqiptarëve të prekur nga tërmeti

Rita dhe Bebe në përkrahje të shqiptarëve të prekur nga tërmeti

Që nga e dita e marte kur Shqipëria është goditur nga një tërmet, i cili shkaktoi vdekjen e shumë personave dhe la shumë të lënduar vëmendja e të gjithëve kaloi në Shqipëri.

Artistë të njohur iu kanë dalë në ndihmë të prekurve nga tërmeti, në mesin e tyre janë edhe këngëtaret me famë botërore, Rita Ora dhe Bebe Rexha.

Gazeta e njohur “Daily Mail”, në lidhje me këtë ngjarje ka shkruar për mobilizimin e dy artisteve shqiptare, përderisa ka treguar edhe detaje rreth tërmeteve të fuqishme që goditën Shqipërinë, ku si pasojë e tyre vdiqën 49 persona.

“Rita dhe Bebe, të cilat kanë prindërit shqiptar,  u shfaqen të merakosura në Instagram, duke u drejtuar mesazhe të prekurve nga tërmeti, si dhe i lutën ndjekësit e tyre të dhurojnë para për kampanjat që nisën”, shkruan Daily Mail.

Në këtë artikull është shkruar se Rita ka zgjedhur ta rindërtojë një shtëpi në Tiranë, përderisa Bebe Rexha do të udhëtojë për në Shqipëri për tu ndihmuar nga afër të prekurit e tërmeteve.

“Ekipet e shpëtimit të Shqipërisë, Serbisë dhe Malit të Zi janë duke punuar në një ndërtesë të shkatërruar të një hoteli në Durrës, ku besohet se ndodhet edhe një person”, shkruhet në këtë artikull.

Ndryshe, ndihma nga më të ndryshmet për Shqipërinë tash e katër ditë ka dhuruar dhe po vazhdon të dhurojë i gjithë populli kosovar.

Rreth orës 04:00 të mëngjesit në ditën e marte, Shqipërinë e goditi tërmeti me magnitudë 6.3 shkallë të rihterit me epiqendër në Tiranë. Ky tërmet dridhi edhe Kosovën, me lëkundje që u dëgjuan edhe në vendet tjera si Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina, Kroacia, Bullgaria dhe Italia. Deri tani nga ky tërmet të vdekur kanë mbetur 49 persona. /21Media