Kontakti me drogën përballë "luftës" me familje

Kontakti me drogën përballë “luftës” me familje

Përdoruesi i drogës nga Prishtina, nisi udhëtimin e tij drejt kësaj rruge qysh në moshën 11 vjeçare para se të ndodhte lufta e fundit në Kosovë.

Si një 11 vjeçar, i cili punonte në pazarin e atëhershëm në Prishtinë, nuk ia kishte idenë se me çfarë do të përballej dy vite më vonë.

Për një muaj rresht atij iu kishte servuar një vijë e pluhurit të bardhë në tavolinën ku punonte dhe numëronte parat e fituara nga pazari i bërë. Këtë ofertë ai e kishte refuzuar çdo ditë kur i ofrohej, pasi që nuk kishte interes të provonte se çka ishte ajo që po i servohej.

Pas një muaj rezistence erdhi edhe kontakti i parë me drogën, substancë kjo e cila prishtinasit tashmë do t’i bëhej përditshmëri. Droga, të cilën ai fillonte ta përdorte, ishte e tipit heroinë dhe marrja e saj tashmë ishte bërë domosdoshmëri.

E çuditshme për tu dëgjuar që personi që i lidhi kontakte këtij përdoruesi me heroinën, ishte vet daja i tij.  Sipas përdoruesit daja e kishte shtyrë të hynte në këtë rrugë pa kthim për përfitimet e tij personale “unë punoja në pazar, atëherë fitoja shumë e daja për me fitu për veti më ka mashtru edhe mu për me pi”,  rrëfeu ai.

Që konsumonte heroinë e dinte vetëm ai dhe daja, askush tjetër. Madje ata kishin filluar të bënin biznes së bashku, duke u shitur drogë edhe personave të tjerë. Pasi që shiste vet, nuk ndodhte që të kishte kriza nga mungesa e heroinës në trup. Madje këtë ndjesi, për herë të parë ai e provoi në kohën e luftës, kur udhëtoi drejt Maqedonisë.

Kjo krizë i kishte zgjatur vetëm pak minuta pasi që ai kishte arritur të gjente një person, i cili e kishte pritur në vendin fqinj. Prishtinasi thotë që këtë person e ka vërejtur vetëm në bazë të shprehjes së fytyrës që është konsumues i heroinës. Ani pse ai nuk e kishte pranuar njëherë që është përdoruesi i heroinës, djaloshi nga Prishtina kishte arritur ta bindte atë që t’i jepte heroinë pasi që ishte shumë keq dhe kriza vetëm sa i përkeqësohej.

Pas kthimit nga Maqedonia, diku rreth vitit 1998, familja e prishtinasit merr vesh që djali i tyre po konsumonte drogë dhe shkaktari  ishte daja i tyre. Me të marrë vesh lajmin, familja mori vendimin që dajës t’i jepnin një dajak të mirë e djalin e tyre ta lidhnin për shtatë ditë rresht me zinxhir, duke mos i dhënë as për të ngrënë e as për të pirë…/21Media

( Pjesa e dytë do të publikohet nesër më datën 11 tetor, në të njëjtën orë 20:00)