Skënderbeu nesër përballet me Dinamon e Kievit në fazën e grupeve të Ligës së Evropës

Skënderbeu nesër përballet me Dinamon e Kievit në fazën e grupeve të Ligës së Evropës

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja e pranoi me sinqeritet para gazetarëve ukrainas se Dinamo e Kievit mbetet favorite për ta fituar këtë përballje, por edhe Skënderbeu do të kërkojë t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë për t’i befasuar vendasit në fushën e tyre.

“Është e pazakontë për ne pjesëmarrja në një nivel kaq të lartë, prandaj favorite për ta fituar ndeshjen është Dinamo. Sigurisht që do të kemi mundësitë tona ndaj duhet të bëjmë lojën tonë më të mirë. Edhe skuadrat e tjera të grupit kanë më shumë eksperiencë se ne, por ne do të luftojmë për të marrë ndonjë fitore”, tha Daja.

I ngacmuar për humbjen e thellë të Skënderbeut në miqësoren e dy viteve me parë me Dinamon e Kievit, Daja theksoi se në këtë sfidë do të jetë një histori krejt tjetër.

“Në kohën kur Dinamo ka luajtur miqësore me Skënderbeun, unë nuk isha trajner i skuadrës që drejtoj tani. Më mirë pyesni kapitenin Orges Shehi. Gjithsesi mendoj se miqësoret nuk mund të krahasohen me takimet zyrtare”, u përgjigj ai.

Largimi i Salihit apo Latifit gjatë merkatos së verës por edhe mungesa e Nimagës për arsye pezullimi, sipas Dajës nuk mund ta zbehin forcën e Skënderbeut që nuk mbështetet të individë të veçantë, por te grupi.

Ndërsa kapiteni Orges Shehi theksoi se pas mungesës 1-vjeçare në kompeticionet Evropiane, Skënderbeu kthehet edhe më i uritur për të treguar se mund të realizojë me kundërshtarët më të fortë.