"Pres të kemi ndryshime teknike sa i përket organizimit të zgjedhjeve"

“Pres të kemi ndryshime teknike sa i përket organizimit të zgjedhjeve”

Është kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që nga viti 2010, vit ky kur Kosova i kishte zgjedhjet me pasojat më të mëdha për vendin, ndërsa këtë detyrë pritet ta ketë deri në vitin 2025. Valdete Daka shpreson që në këto vite sa do të ketë mandat, të mbahen të paktën një herë, zgjedhje të rregullta.

Ajo është gjyqtare në Supreme që shumë vite, tregon punën që bënë aty, flet për sistemin e drejtësisë e edhe për rolin e grave në shoqëri.

Daka deklaron se do të ishte mirë që të ekzistonte një Ligj për KQZ-në, i cili do të sqaronte gjithçka përfshirë këtu mandatin e anëtarëve.

Në veri, sot një javë, më 19 maj, thotë se OSBE-ja do të ketë rol vetëm këshillëdhënës, ku në secilin vendvotim do të jenë nga dy përfaqësues për këshilla të vendvotimeve.

Sa i përket anëtarëve të KQZ-së, Daka nuk flet nëse duhet të ketë anëtarë të të gjitha partive, sepse mund të konsiderohej anim politik.

Ndërkohë, ajo pret që Komisioni parlamentar i krijuar së fundmi për implementimin e rekomandimeve të vëzhguesve të BE-së, të kryejë punën e vet, kështu të bëhen ndryshimet teknike për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë. “Pres që të përfundojë reforma zgjedhore, edhe pse kjo nga ky komision nuk quhet reformë zgjedhore, por përforcimi i sistemit zgjedhore, apo implementimi i rekomandimeve. Pres të kemi ndryshime teknike sa i përket organizimit të zgjedhjeve dhe t’i arrijmë edhe më shumë standardet ndërkombëtare duke i marrë parasysh edhe rekomandimet e misionit vëzhgues të BE-së”, thotë ajo.

Derisa në vendin tonë vazhdimisht përmendet se brenda këtij vitit pritet të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, Daka thotë se janë gjithmonë të gatshëm të organizojnë ato kurdo që janë, por dëshirë ka që të paktën një herë në vitet sa do të jetë në krye të KQZ-së të organizojnë zgjedhje të rregullta.”Kisha pas dëshirë që deri në përfundim të mandatit tim të paktën një herë të organizojmë zgjedhje të rregullta, jo të jashtëzakonshme, por kjo nuk është në dorën time, varet nga politika”, thotë Daka.

Dhe nëse ndodh reforma zgjedhore në Kosovë, Daka thotë se do iu duhet kohë, sa i përket çështjeve ligjore e edhe për përgatitjen e stafit.

Si gjyqtare e Gjykatës Supreme, ajo vendos në çështjet penale, në kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë apo edhe për zbutjen e jashtëzakonshme të dënimit. Aty vendoset për çështjet penale, pra, për fatin e një personi, nëse ai do e kalojë pjesën e jetës në burgim.

Flet për lëndët e mbetura nëpër sirtarë, si dhe për punën e kolegëve të saj.”Ka lëndë të trashëguara shumë, sidomos në shkallën e parë, për dallim prej Gjykatës Supreme. Janë anatemuar gjyqtarët shumë, por ka një numër të madh të tyre që kryejnë punën e tyre ndershëm dhe si e parasheh ligj. Si gjithkund ka edhe të atillë që e keqpërdorin detyrën, çka mundet me qenë edhe në gjykata, por në përgjithësi gjyqtarët punojnë jashtëzakonisht shumë. Megjithatë ende nuk arrihet të zihet hapi, nuk po ka ende rezultate që i presin të gjithë, që është pastrimi i numrit të madh të lëndëve që kanë mbetur nëpër sirtare, pa dëshirën e gjyqtarëve, por në pamundësi fizike. Ka çështje që munden me u rregullu, nuk jam në pozitë që t’i vlerësojë të gjitha por flas nga këndvështrimi i im, dhe nga ajo që shoh aty ku punoj”, thotë Daka.

E pyetur nëse duhet që partitë të pastrojnë listat dhe mos të ketë persona të dyshimtë apo edhe më pak të atillë që është konfirmuar që kanë vepër penale nga emrat që kanë vepra penale, Daka thotë se nuk është etike të ketë të tillë por që sipas saj, është kultura politike ajo që nuk po e tejkalon këtë.”Natyrisht që është çështje e subjekteve politike, po personalisht mendoj që nuk është në rregull, nuk është etike, që në listat e kandidatëve të kemi persona me aktakuza, persona që ndiqen penalisht, apo persona që është edhe më keq i kanë aktgjykimet e plotfuqishme, dhe për të cilët edhe me vendim të plotfuqishëm dihet se kanë kryer një vepër penale, por ajo është çështje e kulturës politike në vendin tonë, që fatkeqësisht nuk po arrihet të kalohet”, thotë Daka.

Ndërkohë, si gjyqtare është emëruar për herë të parë si 25 vjeçare në Prizren, dhe ishte e para grua.

E duke pasur parasysh punët që bënë, ku vazhdimisht kolegët e saj janë të gjinisë mashkullore, Daka thotë se shoqëria jonë heziton që grave t’u japin pozita udhëheqëse.”Gratë nuk e kanë aspak pozitiven e duhur, për të mos thënë janë të nënvlerësuara, ka shumë pak femra në pozita udhëheqëse….e gjithë shoqëria jonë heziton, por edhe në pozita udhëheqëse pak ka gatishmëri t’u jepen pozita kyçe…….duhet t’iu jepet mundësia edhe femrave, meshkujt janë ata që vendosin. Ta vendosin edhe ndonjë femër në pozita udhëheqëse, le te marrin guximin sepse ata vendosin”, thotë ajo.

Në komunat të banuar me serb, të dielën e ardhshme do të votojnë rreth 58 mijë persona, e nëse do të jenë dy raunde do t’i kushtojnë buxhetit të vendit rreth 400 mijë euro.

Në garë janë 12 kandidatë, nga katër kandidatë prej tri subjekteve, Lista Serbe, Vetëvendosje dhe PDK.