SunnyHill Festival po vjen më 10, 11 dhe 12 gusht në Parkun e Gërmisë

SunnyHill Festival po vjen më 10, 11 dhe 12 gusht në Parkun e Gërmisë

Në mesin e 30 artistëve performues do të jenë edhe Dua Lipa, Action Bronson, Stanaj, SG Lewis, Col3trane, Grace Carter, Bondax dhe shumë artistë tjerë të famshëm shqiptarë.

Prej sot, biletat e para janë në shitje online. Për t’i blerë biletat, vizitoni www.sunnyhillfestival.com dhe klikoni mbi butonin Buy Tickets, kanë njoftuar organizatorët e festivalit me anë të një kumtese për media.

Prej të hënës, biletat e festivalit do të jenë në shitje edhe në pika fizike, përkatësisht në Rave Travel dhe mbi 40 pikat e rrjetit të Vllesa / RIA, në tërë Kosovën.

Edicioni i parë i Sunny Hill Festival do të vijë me artistë të shumtë, në mesin e të cilëve janë edhe Ledri Vula, MC Kresha, Lyrical Son, Dafina Zeqiri, Gjiko, Lumi B, Buta, Kidda, ODA, Jericho, Gamblemania, Asgjë Sikur Dielli, Genc Salihu, Shpat Deda, Dren Abazi dhe Zig Zag Orchestra, Gon & Sonik, Rrrron dhe Ylli Megi, kanë njoftuar organizatorët.

“Sunny Hill do të jetë ngjarja më e madhe e muzikës moderne që është mbajtur ndonjëherë në Kosovë. Pritjet janë që këtë vit, Sunny Hill Festival të tërheq mijëra turistë dhe vizitorë të huaj në Kosovë, si dhe të jetë ngjarja kryesore e kulturës për të rinjtë në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Festivali ka karakter humanitar, sepse 25 për qind e të hyrave neto që mbesin nga festivali do t’i dhurohen organizatave kosovare që kujdesen për zhvillimin e fëmijëve kosovarë, posaçërisht atyre me nevoja të veçanta./21Media