Thaçi gëzohet që Kosova sërish lavdërohet në raportin e Departamentit të Shtetit

Thaçi gëzohet që Kosova sërish lavdërohet në raportin e Departamentit të Shtetit

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi Raportin për Terrorizmin ku përmblidhen arritjet dhe sfidat e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve aleate për të luftuar dhe mposhtur organizatat terroriste gjatë vitit 2018. Megjithë arritjet kundër organizatës terroriste Shteti Islamik, raporti thotë se Evropa vazhdon të përballet me një numër kërcënimesh nga organizata të huaja terroriste, nga luftëtarët e huaj që kthehen nga Iraku dhe Siria, nga terrorizmi i kultivuar brenda vendit, si dhe nga terroristët e mbështetur nga Irani.

Në raport thuhet se Kosova vazhdoi të luftojë rrezikun e terrorizmit nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Kosova vazhdon të jetë vend anëtar i Koalicionit Global për Mposhtjen e ISIS-it. Mbi 400 burra, gra dhe fëmijë kosovarë kanë udhëtuar drejt Sirisë dhe Irakut për t’iu bashkuar grupeve terroriste. Rreth 70 prej tyre kanë humbur jetën. Rreth 130 individë u kthyen në Kosovë, ndërsa rreth 200 të tjerë vazhdonin të qëndronin në zonat e konfliktit. Situata politike dhe e sigurisë në veriun e Kosovës vazhdoi të kufizojë mundësitë e qeverisë për të ushtruar autoritetin e saj. Megjithatë qeveria e Kosovës forcoi masat ligjore kundër terrorizmit dhe miratoi një strategji të re anti-terror për periudhën 2018-2022.

Autoritetet e zbatimit të ligjit demonstruan kapacitetet e duhura për të diktuar dhe parandaluar disa plane terroriste në Kosovë dhe jashtë saj, ndërkohë që Departamenti amerikan i Shtetit i mbështeti këto përpjekje nëpërmjet Programit të Asistencës Kundër Terrorizmit. Ndër nëntë rastet gjyqësore dhe hetimore për 29 të dyshuar, përmendet edhe ai i muajit maj 2018, kur u dënuan tetë të akuzuar për planifikimin e një sulmi në Shqipëri ndaj ekipit izraelit të futbollit, si dhe më herët ndaj objekteve të tjera në Kosovë.

Pas publikimit të këtij raporti, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se e gëzon fakti që Kosova sërish lavdërohet në raportin e Departamentit të Shtetit për terrorizmin në vitin 2018, si shtet që ka bashkëpunuar me SHBA-në në luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit, si dhe vlerësohet si anëtare e Koalicionit Global kundër ISIS-it.

“Kapitulli për Kosovën numëron të arriturat e të gjitha agjencive, gjyqësorit, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë, por edhe të KFOR-it dhe EULEX-it, duke vlerësuar bashkëpunimin e tyre në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë. Kosova do ta luftojë pakompromis radikalizmin, ekstremizmin dhe terrorizmin e çdo forme. Jemi partner i barabartë i aleatëve tanë dhe kontribuues për paqen dhe sigurinë në rajon e më gjerë“, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij “Facebook”.

Ndër vendet evropiane që ndërmorrën hapa konkrete kundër terrorizmit të mbështetur nga regjimi iranian, përmendet edhe Shqipëria. Në seksionin për Shqipërinë thuhet se vendi vazhdoi të mbështesë me forcë përpjekjet anti-terror, si dhe vazhdoi të marrë pjesë në Koalicionin Global për Mposhtjen e ISIS-it. Kërcënimi terrorist në Shqipëri vjen nga luftëtarët e huaj që kthehen nga Iraku dhe Siria, si dhe nga përpjekjet për radikalizimin e rinisë shqiptare drejt dhunës./21Media