“Miqësia amerikane-shqiptare qëndron si një shtyllë e qëndrueshme e paqes dhe stabilitetit”

“Miqësia amerikane-shqiptare qëndron si një shtyllë e qëndrueshme e paqes dhe stabilitetit”

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH), përmes një deklarate ka thënë se ashtu sikurse në kohë tjera të vështira, Shtetet e Bashkuara “janë në krah të miqve tanë në Shqipëri”.

DASH në këtë deklaratë ka shprehur ngushëllimet për viktimat e tërmetit të kësaj jave në Shqipëri, që la dhjetra të vrarë dhe qindra të plagosur.

“Derisa Shqipëria po shënon Ditën e Pavarësisë, ne shprehim ngushëllimet tona më të thella për ata që humbën jetën në tërmetin e kësaj jave. Tani, si në periudha të tjera të vështira, Shtetet e Bashkuara janë me miqtë tanë në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e sekratarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, me rastin e 107 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Aty theksohet se që nga rënia e komunizmit, tridhjetë vjet më parë, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar një partneritet gjithnjë e më të fortë.

SHBA-ja, me këtë rast, përshëndet përpjekjet e Qeverisë së Shqipërisë për të zbatuar reformat e nevojshme, përfshirë ato reforma që synojnë forcimin e një gjyqësori të pavarur.

“Ne vlerësojmë thellësisht kontributet pozitive të Shqipërisë në koalicionin e NATO-s dhe mirëpresim kryesimin nga ana e Shqipërisë të OSBE-së më 2020”, thuhet më tutje në deklaratë.

Departamenti amerikan i Shtetit, vlerëson raportet midis dy vendeve duke thënë se “miqësia amerikane-shqiptare qëndron si një shtyllë e qëndrueshme e paqes dhe stabilitetit”./rel