Poezi nga Asdreni

Poezi nga Asdreni

Dashuro

Shëko lisi si më flet,
Fjalë t’ëmbla si më ushton,
Degët unj e më thërret,
Dashuro, se koha shkon!

Maj’ e plepit gjithënjë,
Kur tunt kryet më qorton,
Përpjek fletë më çon zë,
Djalë ç’pret e s’dashuron!

Er’ e malit me një ushtim
Dhe mburimi që kullon,
Gjithë më thonë plot gëzim:
Dashuro, se koha shkon!

Kopështit vasha që po pret
Si zog pylli që këndon,
Buzëqeshur më thërret,
Djalë ç’pret e s’dashuron!

Mua zemëra gjith më rreh,
Brenda gjaku më valon,
Ma ndes mallin me ve re,
Dashuro, se koha shkon!

Çdo gjë rrotull më pyet,
Djalë ç’pret e s’dashuron,
Ditët shkojnë, jeta shket,
Dashuro, se koha shkon!