Kosova dhe Franca thellojnë bashkëpunimin kulturor, nënshkruhet marrëveshje

 
Republika e Kosovës dhe ajo e Francës kanë thelluar bashkëpunimin ndërshtetëror, duke nënshkruar Deklaratën për Shprehje të Interesit që synon krijimin e marrëdhënieve të qëndrueshme, strategjike dhe territoriale mes dy vendeve.
Zotimi është nënshkruar nga zëvendësministrja Punëve të Jashtme dhe Diasporës Liza Gashi, ministri i Kulturës Hajrullah Çeku, ministrja e Arsimit Arbërie Nagaci dhe ambasadorja e Francës në Kosovë Marie-Christine Butel.
“Marrë parasysh frymën e bashkëpunimit ekzistues ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës, si dhe aderimin e Kosovës si anëtare e asociuar pranë Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë në tetor të vitit  2018,  palët janë shprehur të gatshme të zgjerojnë bashkëpunimin për ta forcuar këtë lidhje”, bëhet e ditur në komunikatën e MPJD-së.
Me këtë marrëveshje pala kosovare dhe ajo franceze kanë shprehur interesin për të  mbështetur projekte dhe organizime të ndryshme mes Kosovës e Francës, me mjete konvencionale, financiare dhe njerëzore, brenda një kalendari 2022 – 2024.
Projektet i përkasin fushës së kulturës, diplomacisë kulturore dhe arsimit.
Paraqitja në Festivalin e Kanës, në festivalin në Avingon dhe partneriteti me La Manufucture janë vetëm disa nga projektet që synohet bashkëpunimi mes Kosovës dhe Francës madje edhe në bashkëprodhim të filmave.
“Një pikë e rëndësishme gjithashtu është mbështetja e industrisë kreative evropiane dhe territoriale, në veçanti nga Ambasada e Francës në Kosovë, dhe Ambasada e Kosovës në Francë, për të mirën e projekteve të para të bashkëpunimit (Horizon Europe / ENFORCE, Creative Europe / Les Jardins de la Paix , Reflektimet e para territoriale (në Hauts-de-France …), në dobi të bashkëpunimit dhe ‘binjakëzimit'”, bëhet e ditur tutje në komunikatë.
Kosova në vitin 2014 u bë anëtare vëzhguese e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe që atëherë filloi një politikë proaktive për të promovuar rrezatimin e gjuhës frënge në vend.
Në vitin 2017, Universiteti i Prishtinës u anëtarësua në rrjetin e Agjencisë Universitare të Frankofonisë dhe të njëjtin vit, Shkolla Ndërkombëtare Franceze e Prishtinës hapi dyert e saj.
Në vitin 2018, Kosova u bë anëtare e asociuar e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe Ambasada Franceze bashkë me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës filloi një program të mësimit të gjuhës frënge për zyrtarë dhe diplomatët kosovarë.
Gjithashtu është funksionale edhe Iniciativa Frankofone Nacionale 2019-2022 (IFN), program ky i bashkë financuar me 50% në mes Qeverisë së Kosovës dhe Organizatës së Frankofonisë dhe qëllimi i tij është ngritja e kompetencave të gjuhës frënge me objektiva specifike./21Media

Back to top button