Një dasmë me krushq e flamur

Një dasmë me krushq e flamur

Dita e dasmës për një person konsiderohet si një prej më të rëndësishmeve në jetën e tij. Emocione të përziera, lot gëzimi, mallëngjim janë këto disa nga ndjenjat që manifestohen tek individi i cili merr këtë hap.

E kjo është ende më  mallëngjyese për femrat në traditën tonë, pasi që ato braktisin vendin ku janë rritur për të nisur  një jetë të re në një shtëpi tjetër, shkruan rtv21.tv

Megjithkëtë fustani i bardhë është ëndrra e pothuajse çdo vajze qysh nga vegjëlia, ëndërr e cila u bë realitet edhe për vajzën e familjes së madhe të SOS Fshatit, organizata e cila përkujdeset për fëmijët jetim dhe të braktisur.

Ceremonia u bë sipas të gjitha traditave tona, me krushq e flamur. Me nusen e cila kishte mbuluar fytyrën me shami  të kuqe ashtu si bën çdo vajzë në vendin tonë. “Të premten kishim festë në SOS Fshat. Përcollëm njërën nga vajzat tona. Ajo erdhi te ne si e vogël me motrat e vëllaun dhe tani u rrit e u bë për martesë. E si ndryshe ta përcjellim vajzën tonë, veq se me të gjitha adetet e ritet që një familje organizon për fëmiun e saj.”, bëhet e ditur nga SOS Fshati

Kjo ditë përshkruhet si emocionuese si dhe e mbushur me krenari e lot gëzimi për vajzën që po bëhej nuse.

“Ishte ditë me shumë emocione, lumturi e dashuri, por para së gjithash krenari që përcjellnim vajzën për një jetë të re bashkëshortore.
Si gjithmonë, i gjithë stafi i SOS Fshatit ishin shumë solidarë dhe të gatshëm për të organizuar një festë ashtu siq i ka hije një familje të madhe si SOS Fshati. Një falenderim i madh të gjithëve për përkushtimin dhe dhuratat që i përgaditën për vajzën tonë.”, thuhet nga SOS Fshati.

Kurse edhe më emocionues është momenti kur nusja kishte marrë rrugën për në shtëpinë e re, e të gjithë anëtaret e familjes së madhe po e përcillnin atë, ashtu siç bën çdo familje shqiptare./21Media