Debat i nxehtë në Click Plus, BDI në konflikt me LSDM-në për propozim-ligjin për bastet

Akuza e kundër-akuza, në debatin e mbrëmshëm në Click Plus Maqedoni

Deputeti i BDI-së, Alimi pranoi se ekziston mospajtim në mes BDI-së dhe LSDM-së rreth propozim-ligjit për bastet dhe lojërat e fatit. Shfaqi pakënaqësi edhe në adresë të Ministrisë së Financave.

“Ministria e Financave konkretisht ka hartuar dhe propozuar një propozim ligj i cili është në Qeveri, dhe nuk ka marrë dritë jeshile nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Ai propozim ligj jo që e sanksionon largësinë apo rregullon funksionimin e këtyre por i mbush kazinot ekzistuese me aparate shtesë”, ka thënë Ejup Alimi- Deputet nga BDI.

Ai njoftoi se ligji i krijuar nga deputetët e BDI-së, përcakton largësinë e objekteve në fjalë dhe thotë se grupi parlamentarë i BDI-së është konsultuar me të gjithë partitë politike përfshirë edhe VMRO-DPMNE-në për të futur në procedurë ligjin, por deri më tani kanë hasur në vesh të shurdhër.

Nga ana tjetër, Dërvish Alimi nga Lëvizja Besa akuzoi koordinatorin e BDI-së, Ejup Alimi se po fsheh çështjen e largësisë që është paraparë me ligjin e ri.

“Jorastësisht e fshehu zotëria atë fjalën e ndryshimit, më kryesoren që e tha. Sepse tash me propozimin e ri parashikohet vetëm 300 deri më 500 metra”, u shpreh Dervish Alimi.

Xhemal Avdiu nga Lëvizja Anti-Bixhoz njofton se objekti në Reçicë të Vogël, është i furnizuar me aparate, dhe sipas tij është i gatshëm për punë dhe i njëjti do të ngelet si kazino.

“Në propozim ligjin që u dorëzua nga koordinatori i grupit të deputetëve të BDI-së dhe deputetit Rexhail Ismaili në fakt, ne mund të pajtohemi, mirëpo nuk pajtohemi në dy çështje. E para është distanca e objekteve të lojërave të fatit, kërkesa jonë është tre kilometra larg vendbanimeve, larg shtëpive tona pasi që shtëpitë tona i llogarisim objekte të shenjta dhe nga ajo protestë lindën edhe dy kërkesa tjera. Pesë përqindëshi i fitimit nga lojërat e fatit të destinohen për rinovimin e objekteve në interes publik, shkolla, çerdhe, spitale. Dhe kërkesa e tretë që mendojmë se është shumë me rëndësi, pas dy kërkesave tjera, strategji për arsim dhe edukim të fëmijëve tanë nga pasojat që i sjell bixhozi”, ka thënë Xhemal Avdiu- Lëvizja Anti-Bixhoz.

Imami Zekirja Bajrami e përshëndet këtë iniciativë por shton se çështja e kumarit është e ndaluar rreptësisht sipas feve abrahamike.

“Kur jemi tek çështja e bastoreve dhe bixhozit duhet të dimë se këtë gjë të gjitha fetë qiellore e kanë ndaluar rreptësishtë. Andaj kjo vlen për të gjithë qytetarët, për të gjithë ata që e duan të mirën e fëmijëve të tyre, pasardhësve të vet, do të duhet të gjithë ta përkrahim  një gjë të tillë, përsëri e them, përshëndes propozim ligjin por e them se gjërat e këqija, nuk duhet të krasiten port ë njëjtat duhet të shkulen”, u shpreh Zekirja Bajrami- Imam.

Përpos kësaj, në debatin e mbrëmshëm në Click Plus u debatua edhe për dobitë që do të kishte shoqëria me mbylljen e pikave të bastit. Nga ana tjetër panelistët e përshëndetën vendimin e Kryeministrit Rama  për mbylljen e pikave të bastit në Shqipëri dhe u pajtuan se një ligj i tillë do të ishte i mirë edhe për vendin tonë./21Media

Back to top button