Debati për shami, Saraçini-Kelmendi: 16 vjeçaret nesër edhe mund të martohen dhe fëmija të bëjë fëmijë!

3 min read

Drejtoresha e Radiotelevizionit 21, Afërdita Saraçini-Kelmendi, pas debatit për bartjen e mbulesës fetare në shkollë, sot ka dhënë një qëndrim për këtë çështje.

Ajo ka deklaruar se kur kreu i nje shteti me përcaktim laik, për shkak të votave, “instalon fillet e islamit politik, kjo flet për moralin e një politikani që nuk përfill ardhmërinë e vajzave të reja. Dhe jo vetëm!”

“Kur kreu i pushtetit, në mënyrë transparente, bën “allëshverësh “për vota vihet në dyshim çdo vendim që ai merr për mirëqenien dhe prosperitetin e vendit! Në këtë rast, ky është edhe instalim i moralit maskulin të vendosjes për jetën e adoloshenteve!”, ka shkruar Saraçini-Kelmendi në Facebook, duke shtuar se ky është vendim që paralajmëron se 16 vjeçaret nesër edhe mund të martohen dhe fëmija të bëjë fëmijë!

Drejtoresha e RTV21 ka potencuar se kudo në botë moshë madhore eshtë mosha prej 18-21 vjeç.

“Lejet e identifikimit dhe te vozitjes që jepen edhe në moshën 16 vjeç nuk nënkuptojnë pjekurinë fizike, biologjike dhe mentale të personit! Mirëpo, kjo verbëri për pushtet dëmton afatgjatë zhvillimin e mëtejmë të gjeneratave që vijnë dhe instalon një presedan për ndryshime edhe më radikale në drejtim të gabuar!”, ka shkruar ajo, me ç’rast ka shtuar se është e turpshme, por jo e pakuptimtë, edhe heshtja e politikanëve të tjerë.

Tutje, Saraçini-Kelmendi ka deklaruar se ideali për zhvillimin e vendit nuk përcaktohet me numërimin e votave, por përcaktohet me investimin e përditshëm në ndryshimet pozitive në vend!

“Nuk bëjnë zë as gratë e partive politike, deputetet, ato të organizatave joqeveritare! Në të kaluarën, armiqtë e prezentonin dhe identifikonin para botës Kosovën me fotografitë e grave të mbuluara . Si një vend i Lindjes që nuk i takon Evropës! Na u deshtën vite për ta ndryshuar këtë pasqyrim, i cili u përdor dhe u keqpërdor edhe në Ish Jugosllavi për shpërnguljet masive të shqiptarëve në Anadolli të Turqisë! Edhe planet strategjike serbe me shekuj kanë imponuar politikat që pasqyrojnë banorët shqiptarë të Kosovës si ardhacakë e jo vendas, me qellim të ndërrimit të strukturës së popullatës!”, ka bërë të ditur ajo.

Saraçini-Kelmendi ka shkruar se kthimi mbrapa shënon jo vetëm degradim të qëllimeve të Kosovës për integrime Evropiane, por sipas saj, edhe çuarje përpara të politikave ekspansoiniste e destabilizuese në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

“Dhe së fundi, kush e nisi këtë debat në një kohë kur vjeshta paralajmëron dinamikë bisedimesh e vendimesh të rëndësishme për Kosovën!? Çka fshehet dhe kush qëndron pas kësaj zhvendosjeje të vëmendjes nga bisedimet?! Kujt i shkon për shtati në këtë kohë manipulimi dhe konfrontimi shoqëror në Kosovë?”, ka shtuar ajo në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka folur për inicimin e kampanjës së qytetarëve në vend për ndryshimin e udhëzimit administrativ i krijuar para 12 vjetësh për ndalimin e mbulesës në shkolla.

Kurti ka thënë se në Kosovë nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve.

“Meqë mund ta marrësh kartën e identitetit në moshën 16-vjecare, nëse sistemi e mundëson që të lidhësh kurorë në moshën 16-vjecare, meqë mosha mesatare është 35 vjeç e 2/3 është nën 35 vjeç, besojmë që në të ardhmen nuk do të ishte keq që edhe mosha e votimit të ishte 16 vjeç. Ne e shohim moshën 16-vjeçare si moshë të pragut për shumë gjëra e po ashtu edhe për bartjen e shamisë”, ka thënë Kurti.

Ndërkohë, Bashkësia Islame e Kosovës më 4 gusht, ka kërkuar që kjo çështje të mos politizohet e as polarizohet, por të trajtohet me përgjegjësi e korrektësi maksimale./21Media