Janë evidentuar disa shkelje procedurale dhe mangësi gjatë realizimit të këtij operacioni

Janë evidentuar disa shkelje procedurale dhe mangësi gjatë realizimit të këtij operacioni

Lidhur me rastin dëbimit të shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, Inspektorati Policor të Kosovës (IPK) përmes një deklarate për media tha se ka realizuar misionin e vet ligjor në kuadër të objektit të veprimtarisë duke qenë në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit.

Sipas IPK-së, në mars të vitit 2018, kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar fillimin e inspektimit për të vlerësuar kryerjen e detyrave nga Policia e Kosovës gjatë largimit me forcë të gjashtë shtetasve turq nga territori i Republikës së Kosovës.

Ky inspektim i jashtëzakonshëm është autorizuar nga kryeshefja ekzkeutive e IPK-së dhe Departamenti i Inspektimit ka inspektuar, analizuar dhe vlerësuar performancën e strukturës policore lidhur me ngjarjen.

Inspektimi ka pasqyruar se janë evidentuar disa shkelje procedurale dhe mangësi gjatë realizimit të këtij operacioni nga policia dhe lidhur me ketë IPK ka nxjerrë një varg rekomandimesh.

Raporti i Inspektimit përmban gjithsej 10 rekomandime dhe i njëjti në muajin maj të 2018-s i është dorëzuar kryeministrit të Republikës së Kosovës, ministrit të Punëve të Brendshme dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës si dhe një kopje Prokurorisë së Shtetit.

Pas kësaj, lidhur me këtë rast, hetuesit e IPK-së me autorizim të Prokurorisë Speciale të Kosovës kanë ndërmarrë veprime hetimore dhe pas këtyre veprimeve kanë dorëzuar edhe kallëzim penal ndaj 22 zyrtarëve të Policisë së Kosovës me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale të “Privimit të kundërligjshëm nga liria” dhe “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimeve”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke vazhduar hetimet lidhur me këtë rast si dhe intervistimin e të pandehurve.