Sipas Dedës 22 gushti nuk po përputhet me deklaratat publike të partive

Sipas Dedës 22 gushti nuk po përputhet me deklaratat publike të partive

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës u vendos që më 22 gusht në ora 10:00 të caktohet seanca që të shpërbëhet Kuvendi, për të shkuar pastaj në zgjedhje të parakohshme. Por, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda thotë se vendimi për 22 gushtin si datë për shpërbërjen e Kuvendit nuk po përputhet me deklaratat publike të partive që të shkohet sa më parë në zgjedhje.

Ai tha se Kuvendi mund të shpërbëhej edhe nesër, nëse më të vërtetë duhej të shkohej sa më parë në zgjedhje.

“’Sa më parë të shkojmë në zgjedhje’ e thënë prej të gjithëve nuk po përputhet shumë me vendimin për shpërbërje të Kuvendit me 22 gusht. Kuvendi mund të shpërbëhet edhe nesër me 6 gusht, nëse me të vërtetë ‘sa më parë’ duhet të shkojmë në zgjedhje. Hajgare”, tha ai.

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu caktimin e datës së seancës për shpërbërjen e Kuvendit po e sheh si shumë të largët. Sipas saj, kjo do t’i mundësonte partive politike që të bënin pazare politike. Ajo tregoi se propozimi i VV-së në mbledhje të Kryesisë ishte që seanca për shpërbërjen e Kuvendit të mbahet me datë 8 ose 14 gusht.

Megjithatë, deputeti Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate sot e arsyetoi këtë datë duke thënë se se arsyeja e caktimit të datës 22 gusht dhe jo më herët, ka të bëjë me shqetësimet dhe rekomandimet e BE se iu nevojiten më shumë kohë për të përgatitur misionin vëzhgues për ta dërguar në Kosovë për zgjedhje. Sipas tij, kjo i bije që zgjedhjet të mbahen në fund të muajit shtator apo në fillim të muajit tetor.

Vendimin e Kryesisë së Kuvendit për të mbajtur seancën për shpërbërjen e Kuvendit me 22 gusht 2019, kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj e ka vlerësuar si të duhur dhe konform ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Ky vendim, sipas Haradinajt, do t’i hap rrugë procesit zgjedhor në vend, si opsion i vetëm dhe i domosdoshëm./21Media