Pozita e kandidatit për kryeministër duhet të mos jetë shkak i mundësisë së humbur për "ndryshimin e madh”

Pozita e kandidatit për kryeministër duhet të mos jetë shkak i mundësisë së humbur për “ndryshimin e madh”

Ish-deputeti i Kuvendit, Ilir Deda ka thënë se më e rëndësishme është ndryshimi thelbësor i vendit sesa kush duhet të jetë kryeministër.

Ai përmes një statusi në llogarinë e tij “Facebook” ka shkruar se PDK mund të na befasojë sërish nëse nuk ka një koalicion parazgjedhor mes LDK-së dhe VV-së.

“Ditëve të fundit jemi dëshmitarë të një beteje brenda korpusit të votuesve opozitar se kush është më i/e miri/ja, Vjosa apo Albini. Kjo shtyerje e ndërsjellë e opozitës do të ishte normale nëse zgjedhjet e 6 tetorit do të ishin garë vetëm ndërmjet LDK-së dhe VV-së. Por, pasi që në zgjedhje nuk do të marrin pjesë vetëm dy parti – LDK e VV, atëherë lind pyetja: a është më i rëndësishëm ndryshimi thelbësor (opozita e bashkuar në një listë parazgjedhore) apo humbja e mundësisë për këtë ndryshim (dalja e opozitës ndaras në zgjedhje) për shkak të emrit të kandidatit për kryeministër në zgjedhje? Mos të harrojmë që aty dikund, në heshtje, është PDK-ja. Me 2010 PDK inxhinieroi “vjedhjen industriale” të votave dhe “fitoi” në zgjedhje; me 2014 me lehtësi fitoi 30%, edhe pse në sondazhe dilte që do ti merrte 22%; me 2017 në mesnatë u krijua PAN-i. Dhe PDK mund të na befasojë prap tash me 30 gusht kur të deklarohen koalicionet parazgjedhore”, ka shkruar Deda.

Ish deputeti tutje u shpreh se gjatë dekadës së kaluar u humbën mundësitë e ndryshimit sepse sipas tij partitë opozitare nuk mund të bashkoheshin.

“Ndryshimi me 6 tetor ndodhë vetëm nëse në një listë janë edhe Vjosa edhe Albini. Nëse LDK e VV dalin të ndara në zgjedhje, të gjithë po e shohim potencialin dëmtues të akuzave të ndërsjella (që do të intesifikohen pas 30 gushtit) dhe që do të rezultonin me dalje më të ulët në zgjedhje të njerëzve që janë për ndryshim”, ka shkruar tutje Deda.

Ai ka thënë se LDK e VV duhet doemos të gjejnë zgjidhje që pozita e kandidatit për kryeministër mos të jetë shkak i mundësisë së humbur për siç thotë ai “ndryshimin e madh”.

“Sot e kemi mundësinë historike të ndryshimit, jo pas dy apo pas katër viteve. Gati një dekadë është humbur që të mbrrihet te pika ku shihet që bashkëpunimi i forcave demokratike është kyq për shtetin tonë. Por, nëse nuk gjindet mundësia kreative për menjanimin e ndarjes rreth pozitës së kandidatit për kryeministër, humbës do të jemi të gjithë. Jo vetëm humbës, por edhe përgjegjësit e vetëm për mosndryshim”, ka shkruar Ilir Deda.

Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 6 tetor të këtij viti, fushata zgjedhore do të zgjasë 10 ditë nga 25 shtator deri më 4 tetor./21Media