"Nuk mund të ketë më 'dialog Presidentësh'"

“Nuk mund të ketë më ‘dialog Presidentësh'”

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili thotë se Ekipi Negociator nuk ka kompetenca për zhvillim të bisedimeve për dialogun me Serbinë.

Deda e ka vlerësuar si vendim jashtëzakonisht të rëndësishëm, dhe që sipas tij, pas dy viteve u sqarua se nuk mund të ketë më “dialog Presidentësh”

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese me të cilin zhbëhet Delegacioni Shtetëror për dialog me Serbinë e sjell edhe një vendim jashtëzakonisht të rëndësishëm – e sqaron kush ka mandat të udhëheqë dialogun me Serbinë”, thuhet në reagimin e tij të publikuar në rrjetin social, Facebook.

Më tutje, Deda ka shtuar se vetëm Qeveria dhe Kryeministri kanë të drejtë dhe bazë kushtetuese që të mirren me dialog. Ndërsa, Kuvendi e ka obligim mbikqyrjen e politikës së jashtme dhe sigurisë, që do të thotë dialogun me Serbinë.

Sot Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka dhënë përgjigje kërkesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kërkuan vlerësim të kushtetutshmërisë së Ligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë. E sipas Gjykatës nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën.

Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ekipin Negociator të Kosovës, me në krye zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj dhe kryetarin e Partisë Socialdemokrate Shpend Ahmeti. Ky ekip, ishte paraparë të funksiononte mbi bazën e Ligjit për kompetencat dhe përgjegjësitë e Delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, por i cili ishte kontestuar nga LDK dhe Vetëvendosje, të cilat i ishin drejtuar Kushtetueses me kërkesën për interpretim./21Media