“Deklarata e Daut Haradinaj është nxjerrë nga konteksti”

AAK ka sqaruar deklaratën e deputetit të saj, Daut Haradinaj

AAK ka thënë se deklarata e Daut Haradinaj është nxjerrë nga konteksti dhe nuk ka qenë thirrje për spastrim etnik

“Deklarata e deputetit Daut Haradinaj është nxjerrë nga konteksti dhe nuk ka qenë thirrje për spastrim etnik, siç e kanë paraqitur disa media, por ngritje e alarmit për provokimet e Serbisë ndaj Kosovës, edhe përmes rastit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, të cilat do të mund të kishin pasoja të rënda për të gjithë! Edhe nëse në deklaratën e deputetit Haradinaj, ka pasur tone emocionale, ato duhet parë si të tilla”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

Po ashtu në komunikatë thuhet se Ramushi e ka treguar vetën në disa raste dhe se tani disa njerëz e disa qarqe, mbrenda dhe jashtë Kosovës, po duan që duke e izoluar Ramush Haradinajn ta provokojnë një situate tjetër të rrezikshme

“Për të gjithë ata që nuk e dinë, ju kujtojmë së Ramush Haradinaj e ka mbrojtur popullatën civile e fëmijët në Kosovë. Ramush Haradinaj i ka mbrojtur kishat serbe në Kosovë. E ka mbrojtur popullatën serbe dhe në kohë paqe, ka krijuar programe për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës. I pari ka dal hapur kundër ekstremizmit fetar. Dhe pikërisht tani, disa njerëz e disa qarqe, mbrenda dhe jashtë Kosovës, po duan që duke e izoluar Ramush Haradinajn ta provokojnë një situate tjetër të rrezikshme në Kosovë”.

Më tej në njoftim thuhet se AAK dhe deputetët e saj, pa përjashtim, janë të përcaktuar për shtet ligjorë e të drejtë, ku të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, të kenë të drejta të barabarta. Por në asnjë rrethanë dhe asnjëherë, nuk do te pajtohemi me provokimet që po na i bënë Serbia, edhe përmes rastit të Ramush Haradinajt.

“Sot është koha e fundit që t’u thuhet stop këtyre provokimeve, për çka ne llogarisim seriozisht edhe në ndihmën e partnerëve tanë.Boshti i problemit nuk janë deklaratat e politikanëve në Kosovë, por veprimet konkrete të Serbisë, brenda dhe jashtë territorit të Kosovës”, thuhet në fund të njoftimit./21Media

Back to top button