Deklarata e partive shqiptare, është apo jo pjesë e programit të Zaevit?!

Partitë shqiptare thonë se disa pika të deklaratës do të realizohen

Partitë shqiptare që janë pjesë e koalicionit me LSDM thonë se në Programin e Qeverisë do të realizohen edhe pikat e Deklaratës së partive shqiptare.

Deputeti i BDI-së Xhevat Ademi thotë se të gjitha pikat e Deklaratës së partive politike shqiptare janë përfshirë në programin qeverisës të Zoran Zaevit.

“Deklarata e përbashkët e partive politike shqiptare që në këtë konstelacion forcash, duke pas parasysh edhe numrat, mund të realizohet germë për germe dhe është e përfshirë në programin e qeverisë. Duke filluar nga rishikimi i proceseve për të cilat çdo shqiptarë ka dilemat si procese të montuara e deri te implementimi i germës së fundit të Marrëveshjes së Ohrit. Një prej prioriteteve të nivelit më të lartë të qeverisë së re është propozimi i ligjit të ri për përdorimin zyrtarë të gjuhës shqipe dhe ajo është pjesë e programit të qeverisë së re”, u shpreh Xhevat Ademi, Deputet i BDI-së.

Deklarata e deputetit Ademi vjen 1 javë pas prononcimit për media të kreut të BDI-së Ali Ahmeti, i cili tha se jo të gjitha pikat e Deklaratës së partive politike shqiptare do të gjejnë zbatim në programin e qeverisë reformuese. Se Deklarata nuk do të gjejë zbatim të plotë, e thotë edhe deputeti i Aleancës për Shqiptarët Vesel Mehmedi.

“E kam lexuar me vëmendje programin qeveritarë, 61 faqe, dhe gati 99% e pikave të Deklaratës së partive politike shqiptare janë pjesë përbërëse të programit të ri qeveritarë. I vetmi moment që mungon nga pikët është rezuluta për dënimin e gjenocidit”, tha Vesel Mehmedi, Deputet i Aleancës për Shqiptarët.

Ndërkaq, në Deklaratë e partive shqiptare kërkohet që gjuha shqipe dhe alfabeti i saj të jenë zyrtare, sikurse gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Por në programin qeverisës të Zoran Zaev thuhet se do të bëhet zgjerim i zbatimit të gjuhës shqipe por në kuadër të Amandamentin e V të Kushtetutës së RM. Ndërsa ditën që kryetari i shteti mandatoi Zoran Zaevin, ky i fundit lexoi garancinë, se nuk do të pranoj asnjë platformë, apo deklaratë që është në kundërshtim me Kushtetutën e Maqedonisë./21Media

Back to top button