Qëndrimi i PDK-së për tarifën

Qëndrimi i PDK-së për tarifën

Sonte në emisionin “Debat Përnime”, po diskutohet për tarifën 100 për qind, dialogun me Serbinë dhe politikën e jashtme.

Kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se taksa është propozuar nga Enver Hoxhaj dhe pastaj nga Veseli.

“Taksa është vendosur në një moment politik e propozuar nga zëvendës kryeministri Enver Hoxhaj, pastaj nga z. Veseli 100%, por duhet të thuhet se PDK e ka thënë qartë që taksa duhet të jetë e përqëndruar në raport me agresionin e Serbisë dhe kurrsesi ndaj aleatëve tanë që janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania e aq më pak luftë mes nesh. Ne e kemi pasur një propozim të qartë, Veseli ka kërkuar suspendimin e saj në një fazë prej 120 ditëve dhe ne kemi kërkuar që pas kësaj faze të kemi reciprocitet të plotë, kjo nuk ka ndodhur, kemi menduar që një ide e tillë do të prodhonte mekanizma më të fuqishëm për të ndalur betejën e madhe të Serbisë, për të ndalur atë luftë të egër që e ka bërë Serbia në raport me tërheqjen e njohjeve që nuk ka qenë aspak e lehtë”, ka thënë Deliu-Kodra.

Deliu-Kodra tha se kanë kërkuar që 120 ditë të ketë pezullim të taksës.

“Ne kemi kërkuar që 120 ditë të ketë pezullim të taksës për të kërkuar ndalesën e madhe të luftës që Serbia e ka bërë në raport me tërheqjen e njohjeve të Kosovës. Kjo është bërë bashkë me miqtë tanë ndërkombëtarë, kemi marr garanca që nëse brenda 120 ditëve nuk do të ndodh do të ketë një suspendim të plotë të saj”, ka thënë Deliu-Kodra.

Në nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës vendosi taksë 100% ndaj mallrave që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina si reagim ndaj lobimit të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol./21Media