D4D lanson analizën e radhës

D4D lanson analizën e radhës

“Demokracia e Kosovës në rrezik?” është ky punimi i rradhës të cilin e ka lansuar sot Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D).

Autori i këtij punimi Besnik Pula, ka trajtuar tri fusha shqetësuese për zhvillimin demokratik të Kosovës: stabilitetin dhe kohëzgjatjen e qeverive, paqëndrueshmërinë zgjedhore dhe kohëzgjatjen e proceseve, përfshirë negocimin dhe formimin e koalicioneve qeverisëse pas zgjedhjeve.

Sipas analizës deri më tani, qeveritë e Kosovës kanë qenë jetëshkurtra, kësisoj që nga shpallja e pavarësisë, duke mos përfunduar asnjë herë mandatin deri në fund, por duke shkuar në zgjedhje të parakohshme.

Studimi tërheq vëmendjen edhe në nevojën për më shumë kapacitete politikëbërëse brenda partive politike për t’i orientuar negociatat mbi formimin e koalicionit drejt qëllimeve programore dhe drejtimeve të politikave, për dallim nga ndarja e plaçkës së pushtetit politik, siç ka qenë trendi në vitet e fundit.

Pjesë e panelit të lansimit të punimit ishin edhe Arben Qirezi, Jehona Lushaku dhe Naim Rashiti, me moderim të Krenar Gashit. Panelistët analizuan dhe komentuan punimin nga këndvështrimi i tyre, me ç‘rast u theksua korniza ligjore dhe kushtetuese të cilat e bëjnë sistemin totalisht jofunksional dhe sjellin kriza institucionale në Kosovë, gjithashtu një ndër problemet kryesore të partive politike u potencua edhe mungesa e strukturimit në aspektin ideologjik, si dhe mos definimi i programeve politike.

Ndërkaq disa nga rekomandimet e punimit janë:

• Partitë politike duhet të jenë me të vetëdijshme për nevojën e respektimit të normave elementare demokratike gjatë proceseve të ndjeshme të transformimit të pushtetit pas zgjedhjeve.

• Partitë në Kosovë duhet të jenë më të vetëdijshme për nevojën e respektimit të normave elementare demokratike gjatë proceseve të ndjeshme të transformimit të pushtetit pas zgjedhjeve.

• Një pjesë e problemit në pazaret/bisedimet mbi koalicionet pas zgjedhjeve është tendenca e fokusimit në ndarjen e plaçkës politike, përfshirë këtu postet politike të nivelit të lartë, zgjerimin artificial të tyre në mënyrë që të kënaqen fraksiont e ndryshme dhe elektoratet klienteliste.

• Akterët politik duhet ta shfrytëzojnë kohën në opozitë më shumë që t’i drejtojnë organizatat e tyre politike kah ndërtimi I programeve dhe politikave strategjike afatgjata, se sa të mendojnë se këto aspekte shumë të rëndësishme të politikës mund të lihen në dorë të fatit e improvizimit dhe të konsiderohen të rëndësishme vetëm pasi partia të ketë hyr në qeveri.