Bazuar në rezultatet preliminare, është parë se demokratët janë në rrugë për të fituar shumicën

Bazuar në rezultatet preliminare, është parë se demokratët janë në rrugë për të fituar shumicën

Rezultatet preliminare jozyrtare të zgjedhjeve për Kongres tregojnë se demokratët në Shtetet e Bashkuara do të fitojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve derisa republikanët do të kenë kontrollin e Senatit.

Rezultati i zgjedhjeve të 6 nëntorit thekson se sa të ndarë janë amerikanët për qeverisjen e tyre si dhe ky rezultat përbën rrezik për dy vjetët e ardhshme të mandatit të presidentit amerikan, Donald Trump.

Në një postim në orët e vona të 6 nëntorit, Trump e ka cilësuar rezultatin e zgjedhjeve “sukses të jashtëzakonshëm”.

Liderja demokrate në anën tjetër Nancy Pelosi, e cila ka mundësi të emërohet Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, ka thënë më 6 nëntor se “nesër do të jetë ditë e re për Amerikën”.

Bazuar në rezultatet preliminare, është parë se demokratët janë në rrugë për të fituar shumicën nëse jo të 23 ulëset e duhura për të kontrolluar Dhomën e Përfaqësuesve.

Sa i përket Senatit, republikanët kanë fituar të paktën dy ulëse nga demokratët duke fuqizuar kontrollin e dhomës së lartë të Kongresit.

Ndonëse ka pasur raportime për probleme në disa qendra të votimit, duke përfshirë radhët e gjata dhe mosfunksionimi i skenerëve kompjuterikë, Sekretarja amerikane për Siguri të Brendshme, Kirstjen Nielsen, u ka thënë gazetarëve se nuk ka shenja “ të kompromisit në infrastrukturën e zgjedhjeve kombëtare”.

Aktualisht, republikanët kontrollojnë Senatin me 51 ulëse në krahasim me 47 sa kanë demokratët.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët kanë 235 ulëse në krahasim me 193 sa kanë demokratët.

Kjo i bie që demokratëve u janë dashur edhe 23 ulëse për të fituar kontrollin në këtë trup.

Nëse fitojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, demoratët pritet të rinisin hetimin për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, si dhe supozimet për bashkëpunim në mes të ndihmësve të Trumpit dhe zyrtarëve rusë.

Nëse republikanët do të kenë kontrollin e kësaj Dhome, Trumpi pritet të shtyjë përpara legjislacionin për zvogëlim të taksave dhe përpjekjet për tkurrjen e Qeverisë Federale.

Sipas të dhënave të profesorit të Universitetit të Floridas, Michael McDonald, të paktën 44 shtete kanë tejkaluar numrin e përgjithshëm të votave të hershme në krahasim me zgjedhjet e vitit 2014./REL