Gjykata se Pejës e ka dënuar atë me 8 muaj burgim

Gjykata se Pejës e ka dënuar atë me 8 muaj burgim

Shikrije Bajraktari, është dënuar nga Gjykata e Pejës, pasi u gjet fajtore se është bërë veterane e UÇK-së duke falsifikuar certifikatën e veteranes.

Sipas aktakuzës, Bajraktari kundërligjshëm ka përfituar shumën prej 1,360 euro në emër të statusit të veteranes luftëtare të UÇK-së.

Gjykata se Pejës, e ka dënuar atë me 8 muaj burgim, por që ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse ajo nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës 1 vjeçare.

Poashtu të Bajraktarit i është shqiptuar dënimi plotësues, kompensimi i dëmit në vlerë prej 1,360 euro.

E akuzuara Shikrije Bajraktari e ka pranuar fajësinë se është bërë veterane e rrejshme e UÇK-së.

Sipas aktakuzës Shikrije Bajraktari në MPMS-se ka prezantuar certifikatën e falsifikuar për statusin e veteranit luftëtar dhe kështu kishte arritur të përfitoj pagën e statusit të veteranit luftëtar, duke i shkaktuar dëm MPMS-se në shumë prej 1,360 euro.

Në seancën e mbajtur sot, prokurorja Lumturije Vuçetaj ka bërë plotësimin e aktakuzës duke propozuar që ndaj të akuzuarës të shqiptohen dënimet plotësuese, urdhëri për kompensim dëmi dhe publikimi i aktgjykimit.

Po sot Gjykata e Pejës e ka dënuar Demë Deskajn për falsifikimin e dokumenteve me të cilat ai kishte bërë gruan e tij veterane të rrejshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – UÇK.

Deskaj është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, dënim i cili nuk do t`i ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

Deskaj i cili e kishte pranuar fajin para gjykatësit Shaqë Curri, akuzohej nga Prokuroria se ka siguruar dokumente të falsifikuara në emër të bashkëshortes se kinse e njëjta është veterane luftëtare e UÇK-së, duke dorëzuar këto dokumente në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Në seancën e mbajtur sot, prokurorja e çështjes Lumturije Vuçetaj ka bërë plotësimin e aktakuzës duke propozuar që ndaj të akuzuarit të shqiptohet urdhri për publikim të aktgjykimit.

Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës, ka deleguar për hetime të mëtutjeshme Prokurorisë se Pejës mbi 7000 aplikacione nga “Dosja e Veteranëve të Rrejshëm”./kallxo.com