“Keni probleme të mëdha në menaxhim të parasë"

“Keni probleme të mëdha në menaxhim të parasë”

Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike kërkoi nga Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës brenda një muaji ta sjellë një raport të planit të veprimit për adresimin e rekomandimeve të bëra nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

Rekomandim i njëjtë i është bërë edhe Kompanisë Regjionale “Pastërtia” nga Ferizaji për vitin e përfunduar 31 dhjetor 2016.

Në takimin e komisionit raportoi Vlora Spanca nga ZKA e cila tha se kjo zyrë ka dhënë një opinion të kualifikuar me të cilin ka gjetur se “Kompania nuk ka arritur t’i zbatojë rekomandimet e vitit 2015”.

Sipas saj, as shpenzimet për paga e mëditje nuk janë menaxhuar si duhet.

“Auditori i Përgjithshëm ka dhënë numër të madh të rekomandimeve të cilat kompani nuk i ka zbatuar dhe duhet t’i adresojë”, tha Spanca.

Anëtarja e Komisionit Parlamentar, Shqipe Pantina, tha se janë disa çështje të identifikuara dhe të përsëritura në raport.

“Shqetësim është fakti që problemet e njëjta po përsëriten. Janë shqetësuese disa të gjetura siç janë angazhimi i punëtorëve. Kjo tregon për një neglizhencë”, tha Pantina.

Sipas saj, pikat më shqetësuese janë mënyra e paraqitjes së pasqyrave financiare, moskonfirmimi i llogarive të pagueshme për tatim, dhe mungesa e evidentimit të duhur të aseteve.

“Te çështja e qeverisjes thuhet se ka dobësi të theksuar në llogaridhënie”, tha Pantina.

Lundrim Camaj, kryetar i Bordit në Kompaninë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës, tha se Bordi i ka mbikëqyrur punët e menaxhmentit “konform detyrave”.

“Gjatë vitit 2016 ne si bord kemi mbajt 16 mbledhje. Përkundër vështirësive që kemi pas në vitin 2016 kemi arritur ta mbyllim me sukses. Sa i përket raportit të Auditorit kemi pasë bashkëpunim të shkëlqyer. Menaxhmenti ka përgatit komentet dhe i ka përciellë në ZKA”, tha Camaj.

Ndërsa kryeshefi ekzekutiv i kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës, Avdullah Haxhiu, tha se “menaxhimi nuk është rreth i ngushtë, por përfshin një sërë aktivitete e fusha”.

“Kur e kam marrë detyrën të hyrat kanë qenë 62 për qind tani kemi arrit me i inkasu të hyrat në 99 për qind. Te pjesa që nuk i kemi respektu apo zbatu rekomandimet e vitit 2015 kanë të bëjnë me vlerësimin e pasurisë”, tha Haxhiu.

Anëtari i Komisionit Parlamentar, Avdullah Hoti, tha se “është pak shqetësuese se asnjëra nga rekomandimet e vitit paraprak nuk janë zbatu dhe adresu në vitin 2016”.

“Keni probleme të mëdha në menaxhim të parasë. Ka nevojë për kontroll strikt që mos të lejohen të ndodhin gjëra të tilla”, tha Hoti.

Ai u shpreh i pakënaqur edhe me mënyrën e trajtimit të borxheve ndaj kompanisë.

“Nëse nuk ka evidencë për borxhe, këto tjerat janë jorelevante”, shtoi Avdullah Hoti./kallxo.com