Deputetët nuk do të votojnë për Kovaçkin

Stoillkovski: Nuk e kemi interpretuar Kushtetutën

Disa nga deputetët vlerësojnë se opozitarja VMRO-DPMNE duhet të propozojë emër të ri për ministër teknik të Punëve të Brendshme. Ata nuk do të votojnë Dragan Kovaçkin, pasi siç thonë ky propozim është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Maqedonisë së Veriut.

Deputeti i pavarur dhe nënkryetar i Kuvendit, Zeqir Ramçilloviq shpreson se opozita do të propozojë emër tjetër, raporton TV21.

“Kështu sinqerisht besoj se do të kemi një propozim i cili është në pajtim me kushtetutën, dhe do të arrijmë të zgjedhim jo vetëm ministër të Brendshëm, por edhe pjesëtarë tjerë të Qeverisë Përzhino do ta quaja, që do të jenë adekuat”, theksoi Zeqir Ramçilloviq, nënkryetar i Kuvendit.

Edhe deputetja e Sonja Mirakovska që është në koalicion me partinë në pushtet, kërkoi që VMRO-DPMNE të propozojë emër të ri.

“Diskutimi për raste precedente është i pabazë, joserioz dhe e vë në pikëpyetje kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Insistimi që personi ushtarak të udhëheq me MPB-në do ta fuqizojë perceptimin në publik se Hristijan Mickoski është i frikësuar nga rezultatet e zgjedhjeve dhe nuk dëshiron të përballet me votuesit e 12 prillit”, u shpreh Sonja Mirakovska, deputete.

Por, nga VMRO-DPMNE-ja nuk patën përgjigje se a po tentojnë të bllokojnë formimin e Qeverisë Teknike me faktin që kanë propozuar për ministër një person që e pengon Kushtetuta. Zëdhënësi i partisë, Naum Stoilkovski nuk tha se do të ketë propozim të ri, por njoftoi se partia nuk e ka interpretuar Kushtetutën kur e ka propozuar Kovaçkin.

“Kur do të ketë propozim të ri do ta publikojmë, nuk do ta fshehim. Unë nuk jam këtu që ta interpretoj kushtetutën, unë jam këtu të transmetoj informacione. As si parti nuk e kemi interpretuar Kushtetutën, tjerë janë ata që duhet ta bëjnë atë”, tha Naum Stoillkovski nga VMRO-DPMNE.

Se propozimi i Dragan Kovaçkit është antikushtetues kanë vlerësuar edhe njohësit e kushtetutës dhe nga partia në pushtet, LSDM. Prej atje thonë se neni 97 i Kushtetutës është i qartë dhe se shkelja e Kushtetutës nuk mund të jetë as e drejtë, as drejtësi, e as parim.  Propozimi i Kovaçkit për ministër të Brendshëm nga VMRO-DPMNE-ja vjen në kuadër të Qeverisë Teknike që duhet të formohet më së voni deri më 3 janar të 2020-s. Krahas ministrit të Brendshëm, VMRO-DPMNE-së me Marrëveshje të Përzhinos i takon edhe ministri teknik i punës dhe politikës sociale dhe zëvendësministri në Ministrinë e Bujqësisë, Shoqërisë informatike dhe administratë si dhe në Ministrinë e Financave./21Media

Back to top button