Deputetët: Projektligji për Komisionerin e FSK-së të miratohet menjëherë

Sipas Rexhpe Selimit, projektligji është gati që disa vite

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka shqyrtuar dhe ka miratuar planin e punës për vitin 2019.

Me këtë rast, deputetët kanë kërkuar që projektligji për Komisionerin e Forcës së Sigurisë së Kosovës të miratohet sa më shpejt, e pas diskutimit është votuar që ky projektligj të diskutohet në muajin shkurt.

Në këtë komision është thënë se Projektligji për Komisionerin e FSK-së do të krijojë bazën ligjore për themelimin e institucionit të Komisionerit, si organ që do të sigurojë mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të FSK-së.

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka thënë se projektligji është gati që disa vite dhe arsyeja që pse nuk është votuar ka qenë mandati i FSK-së. Sipas tij, meqë tash FSK-ja ka mandat ushtarak është koha e duhur që ky projektligj të kalojë.

Selimi ka shtruar edhe një çështje tjetër se në planin e punës për muajin shkurt është paraparë mbikëqyrja e zbatimit të ligjit për inspektoratin e Policisë së Kosovës. Për këtë ai ka kërkuar që të bëhet me herët. Gjithashtu, ka kërkuar që edhe ligji për pensionimin e zyrtarëve policorë të bëhet më herët.

Edhe deputeti tjetër i VV-së Xhelal Sveçla, ka kërkuar që ky projektligj të jetë më herët sesa muaji maj kur ishte paraparë në planin e punës.

Në të njëjtën kohë ai ka kërkuar që ligji për pensionimin e policëve të jetë më herët sesa në muajin korrik kur është përcaktuar në planin e punës. Po ashtu, ka propozuar që më herët të shqyrtohet projektligji për siguri kibernetike. Sveçla ka propozuar që në plan të punës duhet të jetë qysh në muajin shkurt një vizitë në pikat kufitare.

Në këtë mbledhje të komisionit është trajtuar edhe letër dërguar nga Inspektorati i Policisë së Kosovës, që ka të bëjë me pozicionimin e Inspektoratit Policor të Kosovës në projektligjin për zyrtarët publik dhe në projektligjin për pagat.

Me këtë rast, deputeti i PDK-së, Fatmir Xhelili ka thënë se të vetmit që mund të dëmtohen janë hetuesit policor në kuadër të Inspektoratit Policor.

Ndërkaq, deputeti Sveçla ka thënë se kërkesa e Inspektoratit Policor është e arsyeshme.

Në këtë mbledhje të Komisionit është votuar edhe shqyrtimi në parim i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për letërnjoftim.

Back to top button