Deputeti i LDK-së i përgjigjet Kurtit: Gurin mund ta heqim, nëse bëhemi bashkë

Avdyli i LDK-së thirrje për marrëveshje

Deputeti i zgjedhur nga radhët e LDK-së, Haxhi Avdyli u ka bërë thirrje dy partive politike, VV dhe LDK që sot ta nënshkruajnë marrëveshjen e koalicionit. Në një postim në Facebook, ai u shpreh se guri në rrugën e koalicionit mund të hiqet nëse bëhen bashkë dy partitë, duke iu referuar kështu deklaratës së të parit të VV-së, Albin Kurti, i cili dje u shpreh se takimet po vazhdojnë, por ka një guri në arritjen e bisedimeve.

“Guri në rrugën e koalicionit mund të hiqet nëse behemi bashkë për ta larguar e nga ai gur të ndërtojmë Ura mirëbesesimi e bashkëpunimi afatgjatë. Sepse ai guri (posti i Presidentit) mbetet vetëm një mjet për të larguar malin e gurëve e shkëmbinjëve të keqqeverisjes së kaluar e fushave të minuara nga ata. Koha është sot që Isa Mustafa ,Vjosa Osmani e Albin Kurti të nënshkruajnë marrëveshjen e shumëpritur nga qytetarët sepse zhgënjimi qytetar i nesërm mund ti hakmerret dy palëve por edhe vendin e vendos në rrugë pa krye. Nesër mund të kemi koalicion me fitues të besimit qytetar ose fërkim duarsh të humbësave të zgjedhjeve të 6 tetorit që veq në ujëra të turbullta mbijetojnë politikisht.”, shkroi Avdyli në Facebook.

Në ceremoninë e pritjes së Ipeshkvisë së Kosovës për nder të Festes së Krishtlindjes, Kurti iu përgjigj gazetarëve lidhur me takimet me Isa Mustafën, për ta cilat ka thënë se po vazhdojnë.

“Unë e falënderoj (Don Lush Gjergjin) për urimin që ne sa më parë t’i përmbyllim bisedimet e negociatat tona dhe të dalim me një qeveri të re ashtu siç e ka kërkuar populli në zgjedhjet e fundit. Në këtë rrugën e këtyre bisedimeve me partnerin tonë qeverisës, ne jemi kah fundi, kemi një gur në rrugë, nuk është as shkëmb as guralec, mirëpo me urimet më të mira të Don Lush Gjergjit, e me lutjet e të gjithëve dhe me punën tonë të përbashkët, besoj se do të ia dalim me sukses”, ka thënë Kurti.

Kurti ka deklaruar nuk ka ende asgjë konkrete sa i përket një marrëveshje të mundshme mes palëve, megjithëse ka theksuar kur të ketë rezultate ato do të bëhen publike./21Media

Back to top button