Deputetja kërkon që familja Daci mos t’i pranojë 15 mijë eurot

“Shteti i drejtë vepron drejtë për të gjithë qytetarët pa dallim”

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli ka reaguar ndaj vendimit të sotëm të Qeverisë për t’i ndarë 15 mijë euro për familjen e zëvendësministrit të Diasporës, Arian Dacit, i cili vdiq më 26 janar.

Deputetja, Fitore Pacolli është shprehur që shteti i Kosovës nuk po i trajton njëjtë të gjithë qytetarët.

Shumë punëtorë për të siguruar bukën për familjet e tyre kanë humbur jetën në vendet e tyre të punës ku punonin pa asnjë masë sigurie. Shumë prej tyre kanë lënë prapa fëmijë pa përkujdesje e në kushte të rënda sociale. Shteti nuk ndau asgjë për ta. Shumë familje detyrohen të kërkojnë nga të afërmit e qytetarët që sado që munden t’i ndihmojnë për të paguar shërimin e fëmijëve të tyre. Shumë kërkesa bëhen në sheshe të qyteteve, radio, rrjete sociale e televizione. Shteti nuk është askund. Shteti nuk i ndihmon këto familje. 

Me këtë rast deputetja Pacolli ka thënë që familja Daci duhet t’i refuzojë paratë pasi që ato nuk ua lehtësojnë dhimbjen.

“Sot shteti ndau 15.000 euro për familjen Daci. Vdekja e Arianit është humbje e madhe për familjen Daci por paratë nuk e lehtësojnë dhimbjen e tyre dhe nuk ka nevojë për to. Prandaj familja Daci duhet t’i refuzoj paratë. Shteti i drejtë vepron drejtë për të gjithë qytetarët pa dallim. Shteti social garanton barazi e mirëqenie për të gjithë. Kosova është shtet, por nuk është shtet i së drejtës e as shtet social.”, ka shkruar Pacolli në një status të publikuar në rrjetin social, Facebook.

Arian Daci, i cili vdiq pasi u godit nga një ortek gjatë skijimit në Brezovicë pas vetës la gruan dhe dy fëmijë./21Media

Back to top button