Sipas deputetit dhe gazetarit Bishefac, është turp, një deputet t’i replikojë bashkëpartiakut

Sipas deputetit dhe gazetarit Bishefac, është turp, një deputet t’i replikojë bashkëpartiakut

Sipas ish deputetit dhe gazetarit Safet Bishefac, bllokada njëjavore e Kuvendit është e orkestruar nga kreu i VMRO-DPMNE-së me qëllim pengimin e formimit të qeverisë së re. Bishevac thotë se replikat ndërmjet deputetëve të kësaj partie dëshmojnë se te ne mungojnë vlerat politike dhe fryma demokratike.

“Nuk ka turp më të madh. Një deputet t’i replikojë deputetit të partisë së vet. Këtu është e qartë se nuk ka vlera. Vërehet se këta deputetë nuk veprojnë sipas vullnetit të tyre të lirë por se janë të kapur për veshësh”, tha Bishevac në emisionin Click Plus që transmetohet në TV21.

Analisti Naser Ziberi thotë se VMRO-DPMNE gabimisht e prezanton deklaratën e partive shqiptare para votuesve të vet. Sipas tij, zgjidhja për përdorimin e gjuhës shqipe siç qëndron në deklaratë, do të kërkohet në rrugë ligjore.

“Në deklaratë qartësisht shkruan se zgjidhja do të kërkohet në pajtim me Kushtetutën dhe Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Këtu nuk ka asgjë të paqartë”, tha Ziberi.

Ish deputetja Sollza Grçeva thotë se patjetër të kërkohet zgjidhje e re për krizën politike përmes një marrëveshjeje ndërmjet partive parlamentare, shkruan tv21.tv.

“Në rast se nuk do të kemi negociata jashtë foltores së Kuvendit, ne përsëri do të jemi dëshmitarë të një makthi të prolonguar në të cilin institucionet nuk do të mund të funksionojnë”, tha Grçeva.

Të ftuarit ishin të një mendimi se kjo dramë parlamentare sa më parë duhet të marrë fund sepse Maqedonia një kohë të gjatë po ngec në procesin euro-integrues./21Media