Rritet numri i votuesve

Rritet numri i votuesve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pak më parë njoftoi se deri në orën 15:00 kanë votuar 29.28 përqind nga 1 milion e 937 mijë e 868 votues me të drejtë vote.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se procesi i votimit deri tani ka shkuar mirë me disa parregullsi, për të cilat ka shtuar se me këto merren organet përgjegjëse siç janë Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit.

Daka gjithashtu ka bërë edhe krahasimin e numrit të votuesve me zgjedhjet e vitit 2017.

“Proces i votimit është duke vazhduar pa ndonjë problem që do të dëmtonte këtë proces zgjedhor. Po ashtu duke u mbështetur në të dhënat që janë dërguar nga 2491 vendvotime apo rreth 98 përqind të tyre, numri i qytetarëve më të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 15:00 është 554 mijë e 750 votues apo 29.28 përqind nga 1 milion e 937 mijë e 868 votues me të drejtë vote. Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e  Kosovës në vitin 2017 kishin votuar 497 mijë e 120 votues apo 27.75 përqinde votuesve”, ka thënë Daka.

E pyetur për raportimet për blerje të votës e parregullsi të tilla, Daka kashtuar se janë në dijeni, por që për të njëjtat deklarohen organet kompetente.

Valdete Daka është përgjigjur edhe për votat e diasporës, për të cilat ka theksuar se presin nga ekipet e tyre që t’iu japin shifrat e sakta të votuesve, meqë siç ka thënë ajo, ende nuk i kanë.

Daka ka takuar sot edhe ambasadorin amerikan, në të cilin takim ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ambasadori kanë treguar përkrahjen e tyre për procesin zgjedhor në Kosovë.

Konferenca e radhës e KQZ-së do të mbahet në 19:30.