Dëshmitarët thonë se morën subvencione pa aplikuar në Komunë

Gjykimi ndaj Pal Lekajt

Katër nga pesë dëshmitarët që dolën të hënën në Gjykatën e Gjakovës thanë se subvencionet e komunës në bujqësi i kishin marrë pa aplikuar fare në një rast në kohën kur Komuna e Gjakovës drejtohej nga Pal Lekaj, aktualisht ministër në qeverinë në largim të Ramush Haradinajt.

Lekaj, bashkë me të akuzuarit tjerë Ismet Isufin, Veli Hajdaraga dhe Gani Rama të akuzuar për korrupsion u ballafaquan me dëshmitë e dëshmitarëve.

Ish-kryetari i Komunës së Gjakovës, për keqpërdorim të detyrës zyrtare po akuzohet bashkë me Ismet Isufin dhe Gani Ramën, ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga po akuzohen për shmangie nga tatimi dhe mashtrim me subvencione.

Dëshmitari Agim Hamza, tregoi se prej komunës kishte marrë një thes farë misër dhe 25 kilogramë pleh kimik. Ai tha se për këto gjëra që kishte marrë nuk kishte nënshkruar askund. “Këto i kam marrë afër spitalit, njeri që ka qenë aty nuk e njoh. Unë vetëm kam dëgjuar që po japin ndihma asgjë më shumë”, tha dëshmitari Agim Hamza.

Ndërsa dëshmitari tjetër Nysret Sadiku tha se asnjëherë nuk ka pranuar subvencione nga komuna e Gjakovës. “Edhe në Polici kam deklaruar që nuk kam marrë, kam tokë po s’kam marr ndihma”, tha dëshmitari Nysret Sadiku.

Më pas dëshmitari Agim Dhomi tha se asnjëherë nuk kishte aplikuar për të marrë subvencione nga Komuna e Gjakovës. “Nuk kam tokë punuese, në Polici ma kanë prezantuar një nënshkrim A. Dhomi por ai nuk ka qenë i imi”, tha dëshmitari Agim Dhomi.

Edhe dëshmitari Fatos Matoshi, tha se asnjëherë nuk kishte pranuar ndonjë subvencion nga komuna që jeton. “Nënshkrimi im në kopjen që ma ka prezantu Policia, s’kam qenë i imi”, tha dëshmitari Fatos Matoshi.

Ndërsa dëshmitari Alfred Nokaj, tha se pas luftës kishte aplikuar për subvencione.“Mes periudhës 2008-2012 kam aplikuar për subvencione dhe i kam marrë tek Ura e Taliqit në Gjakovë”, tha dëshmitari Nokaj. Ai tha se aty kishte qenë një listë me emra dhe aty ishte nënshkruar. “Kam pranuar farë gruri për sipërfaqe prej 50 ari dhe pleh artificial. Në barnatoren bujqësore te ura ka qenë tollovi dhe me sa e di aty ka qenë edhe pronari i barnatores por nuk ia di emrin”, tha dëshmitari Nokaj. Por edhe ai tha se nënshkrimi i prezantuar gjatë deklaratës në Polici nuk ka qenë i tij.

Ky gjykim pritet që nesër të vazhdojë prapë dhe për dëshmitarët që nuk kanë arsyetuar mungesën e tyre, do të sjellen me detyrim në gjykatë.

Javën e kaluar kishte dështuar të mbahej ky gjykim, dhe kjo nuk ishte hera e parë e dështimit./kallxo

Back to top button